Futboll

Liga e Europës/ Kukësi dhe Teuta me favorin e fushës, “malore” për Laçin

Është sot radha e Kukësit, Teutës dhe Laçit për të thënë fjalën e tyre në Europë. Të tria këto skuadra përfaqësohen në Ligën e Europës, ku ashtu si edhe në Ligën e Kampionëve, kualifikimi vendoset në një ndeshje teke dhe shanset janë thuajse të barabarta.

Kukësi dhe Teuta kanë favorin që luajnë në Shqipëri dhe e kanë kursyer lodhjen e udhëtimeve, plus që në fushën e tyre mund të japin diçka më shumë, pavarësisht se luhet pa tifozë. Kukësi pret bullgarët e Sllavias së Sofjes në “Elbasan Arena”. Trajneri Skënder Gega do të debutojë në stolin e nënkampionëve, që kanë pësuar disa ndryshime në organikë, ku mund të përmendet largimi i Vasil Shkurtajt, por janë bërë edhe afrime. Ndeshja luhet në orën 20:00.

Nga stërvitja e Teutës. Gazeta Si, 27 gusht 2020

Të parët zbresin në fushë durrsakët, në orën 16:30. Ata presin në stadiumin “Niko Dovana” ekipin izraelit të Beitar Jerusalem, ndoshta kundërshtari më i fortë për tri skuadrat shqiptare. Një kundërshtar që ka në përbërje 4 lojtarë të kombëtares së Izraelit, kurse Teuta vjen në këtë ndeshje pa yllin e skuadrës, Sherif Kallakun, i larguar në Kroaci. Megjithatë, trajneri Edi Martini u shpreh optimist në konferencën për shtyp.

Më i vështirë ky tur për Laçin, që sot luan në Azerbajxhan ndaj Keshlas. Lodhja nga rruga e gjatë bën të vetën, por laçianët kanë treguar se janë një skuadër që nuk mposhtet lehtë edhe në transfertë. Trajneri Armando Cungu është një ekspert në ndeshjet europiane, ku pak vite më parë ka bërë histori me Kukësin, duke kaluar tre ture.

Sot

Teuta-Beitar Jerusalem (16:30)

Keshla-Laçi (19:00)

Kukësi-Sllavja Sofje (20:00)


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë