Gjatë kohës që pritej të vendosej në Gjykatën e Posaçme të Apelit në SPAK për dosjen e Saimir Tahirit, ish-ministri i Brendshëm ka lobuar në Uashington kundër qëndrimeve të Ambasadës së SHBA në Tiranë për çështjen e tij.
Gazeta “Si” ka siguruar një dokument zyrtar të depozituar më 24 gusht në Departamentin e Drejtësisë që konfirmon se Saimir Tahiri ka pajtur një kompani amerikane me zyra edhe në Bukuresht të Rumanisë për të lobuar në Kongresin amerikan. Kompania në fjalë është “Stone Strategic Solutions SRL”.
Objekti i kontratës mes kompanisë “Stone Strategic Solutions SRL” dhe Saimir tahirit ka qenë lobimi në Kongresin Amerikan për të ndalur komentet e Ambasadës Amerikane në Tiranë në një kohë që procesi gjyqësor ndaj tij ishte në zhvillim.
Për këtë qëllim janë zhvilluar takime me stafin e kongresmenit Kenneth Robert Buck, kongresmenes Kathleen Maura Rice e deri tek anëtarë të stafit të Senatorit Ted Kruz.

“Diskutuam me ta parimet ndërkombëtare mbi çështjet ligjore në Shqipëri, apelimin e tij dhe nevojën që personeli i Ambasadës së SHBA të vetëpërmbahet nga komentet në një kohë që ai (Saimir Tahiri) ndodhej ende në proces gjyqësor. U takuam edhe me drejtorët e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë dhe diskutuam të njëjtat çështje, duke u sqaruar atyre ndikimin që kanë në vendimet e gjykatave shqiptare deklaratat e Ambasadës Amerikane në Shqipëri”, thuhet në sektorin objektit të kontratës që kompania ka depozituar në zyrat e Departamentit të Shtetit.
Kompania përfaqësohet nga Marshall Comins dhe për shërbimet e ofruara, Saimir Tahiri, sipas një tjetër deklarate të depozituar nga Comins më 16 janar 2020 në Departamentin e Drejtësisë, ka paguar 10 mijë dollarë. Kontrata është lidhur për gjashtë muaj dhe ajo ka përfunduar më 31 korrik 2020.
Gjyqi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dhe deklaratat e Ambasadës së SHBA
Pas muajsh hetime dhe zvarritjesh të dosjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda, tashmë e shkrirë për t’i liruar vendin Prokurorisë së Posaçmë, pjesë e SPAK-ut mori zyrtarisht si të pandehur Saimir Tahirin në fund të muajit shkurt të 2019-ës.
Akuzat ishin të rënda, që nga shpërdorim detyre, deri tek trafik droge në bashkëpunim me një grup të strukturuar kriminal. Mbi bazën e këtyre akuzave, prokurorët kërkuan dënimin e ish-ministrit me 12 vite burg.
Saimir Tahiri kërkoi gjykim të shkurtuar, pa pranuar fajësinë. Procesi u përmbyll më 19 shtator të 2019 dhe Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, edhe kjo e shkrirë tashmë pas krijimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë rikualifikoi akuzën, duke e dënuar Tahirin me 5 vite burg vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Me uljen e një të tretës së dënimit për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar, burgu u reduktua në 3.4 vite, por edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale dhe po ashtu, për 3 vite nuk duhet të ushtrojë funksione publike.
Një ditë më vonë, pra më 20 shtator, Ambasada Amerikane e përshëndeti vendimin, por e cilësoi atë shkurajues përballë akuzave të rënda që ishin ngritur ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
“Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat”, thuhej në reagim.
Ambasada nënkuptoi se një dënim më i ashpër duhej aplikuar.
“Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane”, vijonte më tej reagimi.
Këto deklarata u interpretuan nga Saimir Tahiri më 21 shtator, në konferencën e parë për shtyp të mbajtur pas përfundimit të procesit në Shkallën e Parë. Ai i cilësoi komentet e Ambasadës si “presion i madh ndaj gjykatës”.
“Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. E theksoj, në kulturën time nuk flitet për një vendim gjykate, për më tepër nuk flitet për një vendim gjykate që nuk është zbardhur akoma. “Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet mbi nje vendim gjykate, e nuk e besoj që mund të ekzistojë ndonje presion me i madh mbi gjyqtaret se sa ky”, tha ai.
Si Tahiri, ashtu edhe Prokuroria e apeluan vendimin e shkallës së parë. Procesi në Gjykatën e Posaçme të Apelit përfundoi më 26 qershor, duke vendosur rikthimin për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, këtë herë me një tjetër trupë gjykuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje