Në një botë futbolli të dominuar nga kriza e lidhur me pandeminë e Covid-19, presidenti i Çelsit, Roman Abramoviç, nuk kursehet aspak dhe shpenzon shuma të mëdha për të ndërtuar një skuadër super. Klubi londinez ishte bllokuar për dy vjet nga sanksionet e FIFA-s, por tashmë po bën bujë, ndryshe nga pjesa tjetër e klubeve të mëdha të Europës.
Nëse Barcelona dhe Juventusi janë të detyruar të shesin para se të blejnë, Reali ka hequr dorë përkohësisht nga pagat faraonike, – madje edhe sheikët duan të marrin Mesin, nuk duan të paguajnë shifra të çmendura, siç është klauzola e tij prej 700 milionësh, – Çelsi duket sikur jeton në një tjetër planet. I pari u ble Hakim Ziesh nga Ajaksi për 40 milionë, më pas Timo Verner nga Lajpcigu për 60 milionë. Ben Çiluell, mbrojtësi i Leiçesterit, kushtoi 56 milionë dhe i fundit, ende jo zyrtar, është Kai Havertz i Bajer Leverkusen, që do të kushtojë 100 milionë.

Të gjitha këto blerje janë bërë për sezonin 2020-2021, e para ku Çelsi mund të shpenzojë pa u bllokuar nga sanksionet e FIFA-s, falë shitjeve në merkaton e fundit të Hazard dhe Moratës për 130 milionë. Një arkëtim që i lejoi londinezët që të zhbllokoheshin nga FIFA sa i takon “Fair-Play”-it financiar. Çelsi, me këto blerje, duket se po kthehet në kohët e tij më të mira. Trajneri Frenk Lampard tashmë ka në dispozicion lojtarë kalibri. Ka firmosur edhe mbrojtësi Tago Silva, por ai vjen me parametra zero nga PSG-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje