Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se për kufijtë me Greqinë s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë sepse nuk ka asnjë vlerë.
“Meqenëse PD-LSI vazhdojnë të konsumojnë në publik çorbën e prishur që po vetë e gatuajnë, lidhur me “marrëshjen e fshehtë të detit me Greqinë”, po rikujtojmë se për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë sepse nuk kanë asnjë vlerë”, deklaroi ai.
Këto marrëveshje, tha Balla, firmosen mes qeverive dhe ratifikohen në parlamentet përkatëse. “Prandaj gjoja-marrëveshja e re e gatuar në kazanin pa atdhe të PD-LSI, nuk ekziston aspak. Gënjeshtër. E vetmja marrëveshje në letër, bashkë me firmat dhe vulat e tyre, është marrëveshja e firmosur nga Berisha e Basha, e mbështetur nga Ilir Meta si pasardhës i Lulit dhe ministër i Saliut”, u shpreh Balla.
Ajo marrëveshje, vijoi ai, cenonte interesin kombëtar, prandaj Partia Socialiste vendosi ankimimin e saj në Gjykatën Kushtetuese.
“Gjykata e rrëzoi marrëveshjen e Lulëzimit, Saliut dhe Ilirit, me rezultatin e qartë 9 me 0. Prokuroria bëri sikur e hetoi, por e mbylli pa e filluar. Pa marrë në pyetje as vasalin firmëshkrues e as vulëvënësin. Madje për turpin e PD-LSI, kryekuzhineri i tyre Sali Berisha vazhdon ta mbrojë për turp këtë marrëveshje të rrëzuar, që i hiqte Shqipërisë 354,4 km2 hapësirë detare”, deklaroi Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje