Futboll

Superkupa/ Tirana dhe Teuta përballen për trofeun e parë të sezonit

Në “Elbasan Arena” do të jepet sot trofeu i parë sezonal, Superkupa e Shqipërisë. Ndeshja mes Tiranës dhe Teutës do të luhet në orën 20:00, sigurisht pa tifozë. Në fakt, asnjë nga këto dy skuadra nuk është e përqendruar te Superkupa, por te shorti i Ligës së Europës.

Trofeu i Superkupës nuk sjell asnjë përfitim financiar, ka thjesht dhe vetëm vlera morale, por morali te të dyja skuadrat është i lartë në këtë moment, pas paraqitjes shumë të mirë në Kupat e Europës. Megjithatë, kur zbret në fushë, çdo futbollist dëshiron të fitojë dhe sot parashikohet një ndeshje totalisht e hapur në Elbasan. Ndoshta do të jetë një shans i mirë edhe për futbollistët e stolit, sepse trajnerët do të përpiqen t’i ruajnë titullarët nga ndonjë dëmtim i mundshëm.

Nga finalja e Kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Teutës. Gazeta Si, 31 gusht 2020

Tirana dhe Teuta kanë një organikë të pasur dhe edhe pse në lojë është një trofe, ndonjë eksperiment në këtë finale është i lejueshëm. Tirana shihet si favorite në letër, por edhe Teuta nuk është aspak për t’u nënvlerësuar. Me atë që tregoi në Ligën e Europës ndaj Beitar Jerusalemit, kjo skuadër mund t’i përballojë kampionët e Shqipërisë. Për t’u theksuar është fakti se Teuta e mundi Tiranën në finalen e Kupës së Shqipërisë, 2-0.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë