Politike

PD shpërndahet në zonat e tërmetit: Situata me shkollat, e rëndë, nuk jemi gati për 14 shtatorin

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka shpërndarë përfaqësues të PD-së në zonat ku tërmeti 26 nëntorit rrënoi dhjetëra shkolla, për të treguar se situata në këtë drejtim mbetet e vështirë dhe pa zgjidhje, kur mbeten vetëm dy javë nga fillimi i vitit të ri shkollor.   

Clirim Gjata ishte në zonën e Thumanës, Bashkia Krujë, përpara një shkolle të rrafshuar dhe një të ndërtuar rishtazi.

“Jemi në zonën  e Thumanës, në Bashkinë Krujë, të gjithë e dimë se Thumana është një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019 dhe sot kemi  ardhur të diskutojmë për çështjen e arsimit.

Përsa i takon vendit ku ndodhemi, këtu ka qenë edhe një shkollë tjetër dykatëshe e rikonstruktuar, përveç kësaj shkolle këtu pas.

Dhe ç’është më e bukura, nëse kjo shkollë këtu trekatëshe e ndërtuar e re, ka kushtuar 600 milionë lek të vjetra, rikonstruksioni i shkollës dykatëshe e cila nuk ekziston më, ka kushtuar 100 milionë lek më shumë dhe është inauguruar 2 ditë përpara tërmetit.

Tërmeti e rrënoi atë përfundimisht. Kjo tregon se çfarë rikonstruksioni i është bërë asaj shkolle.

Brenda 48 orëve nga Bashkia e Krujës është zhdukur shkolla. Janë zhdukur mbeturinat dhe është shtruar me çakull duke mos lënë asnjë gjurmë”, vërejti ai.

“Nëse këtu kemi vetëm një shkollë e cila e ka të pamundur të përballojë fluksin e nxënësve, kemi mungesa të shkollave në fshatrat Bubq, Borizanë, Derven, Bushnesh ndërkohë që funksionale është vetëm kjo shkollë këtu dhe shkolla 9-vjeçare në fshatin Gramëz.

Gjithashtu edhe gjimnazi i Krujës është në rikonstruksion dhe është jashtë funksionit për sa i takon rifillimit të vitit të ri shkollor”, nënvizoi ai.

Lindita Metaliaj duke folur per situaten e shkollave ne Lezhe

E njëjta situatë, sipas PD-së, vërehet edhe në Lezhë. Lindita Metaliaj tha se shkollat e qytetit të Lezhës nuk janë gati për të hapur dyert me 14 shtator.

“Për ta konkretizuar këtë, unë sot ndodhem pranë shkollës 9-vjeçare “Gjergj Kastrioti”, shkollë kjo e cila ka pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit, por që siç e shihni dhe ju vetë, është miratuar për shembje, por shkolla është akoma në këmbë. Jo vetëm që nuk është shembur, por nuk është marrë asnjë masë për të zgjidhur problemin.

Kjo shkollë ka 620 nxënës të cilët pas tërmetit të 26 nëntorit janë transferuar në shkollën “Beslidhja”, por që vetë shkolla “Beslidhja” aktualisht ka 700 nxënës dhe vetëm 26 klasa. Pra, nëse do ti bashkojmë nxënësit e të dy shkollave bëhen afro 1400 nxënës. Do të shkojnë me turne të stërzgjatura që do të përfundojnë në orë të vona të darkës duke sjellë një strapacim dhe problematikë të jashtëzakonshme për prindërit, mësuesit por edhe vetë nxënësit.

Dhe sikur të mos mjaftonte kaq, Zyra Arsimore Vendore Lezhë, me datë 21 gusht i bën një shkresë-kërkesë bashkisë Lezhë me anë të së cilës i kërkon që të marrë të gjitha masat për sistemimin e ambientit të ndërtesës së vjetër të gjimnazit “Hydajet Lezha” në mënyrë që të bëhet gati për të pritur nxënësit e shkollës “Gjergj Kastrioti”. Dhe bashkia Lezhë, sikur ka rënë nga hëna, me datë 28 gusht i kthen përgjigje Zyrës Arsimore Vendore që ka përcjellë kërkesën e tyre për alokimin e fondeve pranë Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave dhe po pret një përgjigje nga ana e tyre.

Pra, shikoni ku jemi katandisur!

Ka një moskoordinim nga ana institucionale. Ka një gjumë total nga ana e pushtetit vendor, pushtetit qendror dhe e gjitha kjo do të rëndojë në kurriz të fëmijëve tanë, të fëmijëve lezhjanë”, tha ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë