Nga Dimitris Keridis* – Kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha në Parlament se Greqia planifikon zgjerimin e ujërave territoriale në Perëndim në Detin jon me 12 milje. Njoftimi u bë gjatë një debati parlamentar para votës për miratimin e marrëveshjeve për kufijtë detarë me Italinë dhe Egjiptin.
Koha e përzgjedhur nuk ishte rastësisht. Politika e jashtme greke udhëhiqet nga respektimi i ligjeve ndërkombëtare dhe vendimi për të zgjeruar ujërat territoriale pason marrëveshjen e demarkimit të zonës ekonomike ekskluzive me Italinë. Pason gjithashtu edhe bisedimet me Shqipërinë. Do të ishte gabim që të njoftohej zgjerimi i ujërave para se të arrihej marrëveshja me Italinë, pasi kjo do të krijonte një krisje të panevojshme me një aleat.
Megjithatë, Greqia ruan të drejtën për të zgjeruar ujërat e veta territoriale me 12 milje edhe në zonat e tjera, përfshirë këtu edhe në Detin Egje, kur ta vlerësojë si vendim të matur dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare dhe interesat e veta kombëtare.
Të majtët e SYRIZA-s pretendojnë se kishin planifikuar të njoftonin të njëjtën masë, por nuk pati kohë pasi u largua nga pushtetit. Është e vërtetë se kur Nikos Kotzias dorëzoi Ministrinë e Jashtme te Aleksis Tsipras, në atë kohë edhe Kryeministër, ai e përmendi faktin se ishte gati një dekret presidencial për këtë.
Në çdo rast, qeveria e SYRIZA-s nuk e ndërmori këtë hap, as me dekret presidencial, as me ligj. Kjo u bë nga Qeveria e Mitsotakisit dhe në një mënyrë më të saktë; fillimisht një marrëveshje për zonën ekskluzive ekonomike me Italinë dhe më pas zgjerimi i ujërave.
Vendimi për të zgjeruar ujërat territoriale konfirmon një epokë të re në politikën e jashtme të Greqisë. Në këtë epokë, Greqia jo vetëm po deklaron të drejtat e saj, por edhe po i siguron ato me marrëveshje ndërkombëtare të bazuara tek ligji ndërkombëtar. Kjo provohet me marrëveshjen me Italinë dhe Egjiptin, me zgjerimin e pjesshëm të ujërave territoriale, mbrojtjen me sukses të kufijve veri-lindorë në lumin Evro dhe të ujërave në Egje nga përpjekjet e Turqisë për të përdorur refugjatët për objektivat e veta gjeopolitike.
…dhe në fund, por jo e fundit politika e jashtme greke po e tregon veten edhe me formimin e një aleanca të pazakontë anti-turke, që përfshin arabët, izraelitët, Qipron, Austrinë, Francën dhe vende të tjera.
Synimi fundor i Qeverisë është që përmes diplomacisë të ngrejë dhe zgjojë aftësinë e Europës që të mbrojë kufijtë dhe interesat e veta, sidomos në Mesdhe.
Greqia i qëndron bindjes për nevojën e një marrëveshjeje me Turqinë për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike. Ajo është e hapur edhe për t’iu drejtuar një gjyqtari ndërkombëtar, nëse bisedimet mes dy vendeve dështojnë. Por, në të njëjtën kohë, Greqia e ka bërë të qartë dhe me gjakftohtësi ka treguar se është e vendosur që të mbrojë integritetin territorial dhe të drejtat sovrane nga çdo kërcënim.
*Autori është profesor i së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe deputet i partisë në pushtet “Demokracia e Re”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje