Futboll

Maldini ëndërron Kiezën, Milani i favorizuar ndaj Interit dhe Juves

Paolo Maldini provon goditjen e madhe. Pasi mori Sandro Tonali para se ai të shkonte tek Interi, drejtori teknik i klubit kuqezi synon të fitojë sërish konkurrencën me zikaltrit dhe Juventusin për Federiko Kiezën. Është sulmuesi i Fiorentinës objektivi kryesor i Milanit në merkato, një goditje që do ta ndryshonte realisht skuadrën e Piolit për sezonin e ri.

Një operacion i komplikuar, duhet thënë që në fillim, jo vetëm se presidenti i Fiorentinës, Komiso, kërkon deri në 70 milionë euro për ta lënë të lirë. Dhe ai është një njeri, me të cilin nuk është e lehtë të negociosh. Për këtë transferim kërkohet një formulë që do t’u lejonte të gjithëve të fitonin. Fiorentina kërkon të paktën 50 milionë “cash” dhe askush, as Milani, as Interi dhe as Juventusi nuk janë gati t’i paguajnë. Në këtë situatë, është logjike të flitet për lëvizje të tjera, për ndonjë lojtar të ofruar në shkëmbim dhe për pagesa që mund të mbyllen në një apo dy vjet.

Federiko Kieza me fanellën e Fiorentinës. Gazeta Si, 1 shtator 2020

Po pse Milani? Sepse Kieza, ashtu si Tonali, i ka ngjyrat kuqezi në zemër. Po ashtu, Milani është më afër, sepse Fiorentina pëlqen brazilianin Paketa, që Maldini dhe Masara duan ta sistemojnë dhe ai mund të pranojë të shkojë në Firence. Pra, Milani ka në këtë rast njeriun e duhur për të futur në tratativa në operacionin e Kiezës.

E sigurt, siç përsërisin gjithmonë në Firence, është se Kieza do të largohet nga Fiorentina në këtë sesion të merkatos. Mbetet për t’u kuptuar si dhe se ku do të shkojë. Është një garë e hapur, por Milani niset me një avantazh të lehtë, me Paketën dhe ndoshta 20 milionë euro për të marrë Kiezën. Fali Ramadani, i cili ka miqësi me Maldinin dhe familjen Kieza, po shtyn në drejtim të Milanit. Klubi kuqezi kërkon nga Fiorentina edhe Pecelën, ndërkohë që nëse blen kroatin Rebiç nga Eintrahti, sërish Fiorentina përfiton 50% të shumës së rishitjes.

Po Juventusi? Klubi torinez së pari ka nevojë të shesë për të zbutuar bilancin e shpenzimeve për rrogat. Por shitjet e parashikuara nga Paratiçi dhe Anjeli nuk janë ende të mbyllura, kështu që koha, si në rastin e Tonali, mund të punojë në favor të Milanit dhe Maldinit. Në këtë rast kuqezinjtë kanë edhe miratimin e pronarëve, të cilët janë gjithmonë pro blerjes së lojtarëve të rinj në moshë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë