Politike

Lufta e Vlorës bën bashkë Metën, Ramën e Bashën

100-vjetori i Luftës së Vlorës mund të bëjë bashkë Ilir Metën, Edi Ramën dhe Lulzim Bashën, pasditen e kësaj të mërkure për të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.

Ftesa drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Demokratike mban firmën dhe vulën e Prefekturës së Vlorës, si organizatore e aktiviteteve në këtë vit jubile të përkujtimit të një prej luftrave që vulosi njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë.

Meta dhe Rama e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, ndërsa organizatorët janë në pritje të përgjigjes së Lulzim Bashës.

Sipas agjendës së përcaktuar, në fund të aktiviteteve përkujtimore do të organizohet një koktejl me të gjithë pjesëmarrësit, ku mbetet për t’u parë nëse Meta, Rama dhe Basha do të lënë mënjanë përkohësisht përplasjet e ditës për të trokitur gotat.

Lufta e Vlorës nis në fillim të qershorit të vitit 1920 pas refuzimit italian ndaj kërkesës së qeverisë shqiptare të asaj kohe për të tërhequr trupat nga qyteti. Grupe vullnetarësh shqiptarë u organizuan lëvizjen për rimarrjen nën kontroll të qytetit dhe pas 3 muajsh luftime lufta u mbyll me marrëveshjen e armëpushimit, sipas të cilës Italia tërhiqej plotësisht nga Vlora, me përjashtim të Ishullit të Sazanit ku kishte të stacionuar një garnizon.

Kjo marrëveshje konsiderohet marrëveshja e parë ndërkombëtare e shtetit të pavarur shqiptar pas Pavarësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë