Ne rrjet

Shtëpia e Bardhë: Nuk kemi asnjë plan sekret për Kosovën dhe Serbinë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë rikthyer fuqishëm në “tavolinën” e dialogut Kosovë-Serbi, duke mbledhur të dyja palët, ashtu siç edhe ishe planifikuar në një samit në Shtëpinë e Bardhë. Pas anulimit të këtij takimi në korrik, për shkak të akuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi, udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të mblidhen në katër shtator në Uashington.

Megjithatë, ashtu si në korrik, bisedimet janë rrethuar nga një perde misteri. Një këshilltar i posaçëm i Presidentit Donald Trump tha të martën se ende nuk është vendosur nëse Trump, do të marrë pjesë në takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator

“Diskutimet se do të përqendrohen tek zhvillimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, si një stimul për t’i shtyrë politikanët e dy vendeve të zgjidhin problemet mes tyre”, tha në kushte anonimiteti zyrtari amerikan, gjatë një bisede me gazetarë, duke shtuar se presidenti Trump, tashmë është në dijeni të asaj për të cilën pala amerikane është e interesuar, e që është vendosja e projekteve ekonomike si prioritet.

“Presidenti Trump donte të shihte nëse duke u përqendruar tek zhvillimi ekononik dhe krijimi i vendeve të punës për të rinjtë, kjo do të ndryshonte disi dinamikën e gjendjes, kështu që për më shumë se një vit, ne jemi përqendruar krejtësisht tek normalizimi ekonomik, për të gjetur një mënyrë që t’i nxisim palët që t’i lënë mënjanë çështjet politike”.

Ai përmendi marrëveshjet për transportin ajror, hekurudhor dhe rrugor si shembuj, duke i quajtur ato “historike”. Këshilltari i posaçëm i Presidentit tha se në bisedimet me Kosovën dhe Serbinë të enjten dhe të premten Shtetet e Bashkuara do të përpiqen “t’i çojnë më përpara këto marrëveshje.

Donald Trump dhe Richard Grenell, Gazeta Si, 2020

“Dhe pastaj do të shtojmë edhe tema të tjera në diskutim për të krijuar tregti, zhvillim ekonomik dhe vende pune”, tha ai.

Zyrtari deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret, kur bëhet fjalë për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret; ne nuk kemi asgjë për të kërkuar. E vetmja gjë që do të kërkojmë është që nëse ata duan ndihmë nga SHBA-ja, nëse duan zhvillim, atëherë ata kanë nevojë për përparim në fushën ekonomike. Ne nuk duam të humbasim paratë tona”, tha ai.

Bisedimet, sipas tij, do të mbahen të enjten dhe të premten.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë të premten. Kjo është art, jo shkencë. Ne duhet të shohim pozicionin e të dyja palëve, nëse ata janë të gatshëm të kalojnë në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të tërheqë bizneset dhe industrinë amerikane dhe evropiane”, shtoi zyrtari i lart amerikan.

Zyrtari i administratës amerikane gjithashtu tha se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara ua lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik”, tha ai.Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.

“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.

I pyetur nëse parashikon që ky proces ekonomik do të gërshetohet me atë politik, ai tha se nuk donte të bënte parashikime.

“Nëse palët nënshkruajnë diçka që mendojnë se është e drejtë, ndoshta mund të përdorja fjalën balancë. Nëse palët besojnë në fjalën balancë, se po marrin diçka më shumë se sa po japin, dhe mendojnë se është një marrëveshje e mirë, atëherë do të nënshkruajnë. Ne nuk kemi plan sekret, nuk kemi parakushte. I takon palëve”.

Këshilltari i Posaçëm i Presidentit tha se ai mendon se komuniteti politik i të dyja vendeve nuk ka arritur të sigurojë përparim dhe komunitetet e bizneseve të të dyja vendeve janë të zhgënjyer.

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe shefi i Politikës së Jashtme të BE Josep Borell, pas një takimi në Bruksel

Ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë paragjykim për çfarëdo zgjidhje për të cilën do të bien dakord palët. I pyetur nëse Presidenti Donald Trump do të marrë pjesë në një farë mënyre në takim, këshilltari i posaçëm, nuk u përgjigj në mënyrë përfundimtare, por tha se ai është i përfshirë në proces dhe në diskutimet lidhur me çfarë mund të bëjë pala amerikane për t’u dhënë përparësi projekteve ekonomike.

“Por në fund të fundit, mendoj se palët duhet të jenë në gjendje të shënojnë përparim, në mënyrë që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë t’i përdorin këto mekanizma në mënyrë të fuqishme”, tha ai.

“Ne do ta përmbysim skenarin, të shkojmë fillimisht tek njerëzit, të ngjallim entuziazëm për rritjen e ekonomisë dhe të lëmë këto çështje politike të dalin dytësore”, tha këshilltari.

I pyetur nëse njohja reciproke do të jetë një nga temat, këshilltari përsëriti tha se nuk ka ndonjë temë të paracaktuar por se bisedimet do të jenë një provë nëse palët janë të hapura për bashkëpunim dhe për ta përmbysur mënyrën e të menduarit por tha se “duhet shënuar përparim në zhvillimin ekonomik që Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë ta përqendrojnë vëmendjen” në këtë çështje.

“Është në dorë të palëve nëse duan apo jo të ecin përpara dhe çfarëdo që të ketë thënë media, Shtetet e Bashkuara nuk kanë një plan sekret, nuk do të kërkojnë diçka”, duke shtuar se se e vetja kërkesë është se nëse duan paratë e Shteteve të Bashkuara duhet të shënojnë përparim në frontin ekonomik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë