Futboll

Partizani merr goditjen e rëndë, CAS-i lë në fuqi dënimin

Asnjë përforcim për Partizanit sezonin e ardhshëm. Ne merkaton e verës dhe atë të dimrit të kuqtë nuk mund të afrojnë asnjë lojtar, sepse CAS-i ka lënë në fuqi dënimin e FIFA-s, sipas të cilit e ka të ndaluar të bëjë merkato për dy sesione. Klubi i kuq e ka publikuar vendimin e CAS-it pak para mesnate në faqen zyrtare, duke shprehur zhgënjimin e madh për lënien në fuqi të dënimit.

Partizani u dënua pak muaj më parë nga Dhoma e Zgjidhjes së Konflikteve të FIFA-s, sepse ka shkelur rregullat me afrimin e futbollistit Erald Çinari, i cili më parë kishte firmosur edhe një kontratë me ekipin e Istras në Kroaci. Lojtari shkodran nuk mund të aktivizohet deri në fud të vitit. Drejtuesit e klubit e çuan çështjen në CAS, por tashmë e kanë humbur edhe këtë gjyq, kështu që sezonin e ri do të mbështeten vetëm te lojtarët që kanë aktualisht në kontratë. Ky është një lajm i hidhur për trajnerin Ilir Daja, i cili priste përforcime.

Erald Çinari, lojtari që u bë shkak për dënimin e Partizanit. Gazeta Si, 4 shtator 2020

Njoftimi zyrtar i klubit të kuq

Klubi njofton se është njohur me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), i cili lë në fuqi vendimin e Dhomës së Zgjidhjes të Konflikteve të FIFA-s për pezullimin e klubit nga pjesëmarrja në dy sesionet e radhës të merkatos. Duke siguruar sportdashësit dhe opinionin sportiv se Partizani ka vepruar përherë konform të gjitha rregullave dhe legjislacionit sportiv, shprehim zhgënjimin tonë mbi këtë vendim që cënon ecurinë tonë në kampionatin që pritet të fillojë. Në arsyetimin e tij, CAS-i ka vlerësuar se pezullimi nga dy sesione të merkatos nuk shkakton dëme të pariparueshme dhe afatgjata ndaj klubit.

Pavarësisht se ky vendim në arsyetimin e tij na pengon në zhvillimin normal të projektit sportiv për sezonin aktual, FK Partizani do të vijojë punën e pandërprerë me gjithë vështirësitë e krijuara, duke pasur besimin maksimal tek stafi teknik dhe lojtarët aktualë. Për sa i përket gjyqit në CAS, klubi po punon për të siguruar mbrojtjen ligjore dhe synon fitimin e gjyqit përpara sesionit të ardhshëm të transferimit të lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë