Zgjedhjet e ardhshme parlamentare pritet që të zhvillohen sipas të gjitha gjasave dhe diskutimeve që janë bërë këtu e tre muaj më parë në datë 18 prill të 2021-it.
Edhe pse kishte deklaruar se nuk do të konsultohej me asnjë forcë politike për datën e zgjedhjeve, Ilir Meta, mblodhi një e nga një të premten në Presidencë, drejtuesit e partive politike me një qëllim; konsultimin e datës së ardhshme të zgjedhjeve.
Një datë që në fakt partitë kryesore në vend e kanë vendosur parimisht qyshse ndryshuan në Kod periudhën e zhvillimit të zgjedhjeve.
Ato pritet të mbahen më 18 prill të vitit të ardhshëm, datë që opozita ia kërkoi zyrtarisht sot Metës, ndërsa kryeministri Edi Rama ia la në dorë opozitës dhe vetë Presidentit, një datë të mundshme duke mos dhënë propozim konkret.
I vetmi kusht i kryeministrit ishte që zgjedhjet të mos mbahen në datë 2 maj, kohë që përkon me Pashkët Ortodokse.
Më herët PS-ja kishte propozuar si datë të mundshme 9 majin, duke ia lënë Metës të propozonte një zgjidhje të mesme mes 18 prillit të kërkuar zyrtarisht nga opozita dhe 9 majit nga mazhoranca, që me gjasë do të ishte 25 prilli. Por tërheqja zyrtarisht e Ramës nga 9 maji mund t’i çojë palët drejt 18 prillit, datë që jo zyrtarisht përfaqësuesit e partive politike kishin rënë dakord qysh me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Takimi mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama sot ishte krejt formal.
Vetëm 10 minuta takim sa për një foto, dhe pamje të shkurtra ku kryeministri Edi Rama u fut në Presidencë me maskë i shoqëruar nga Taulant Balla, e duke dalë prej aty pa u “sajdisur” me një kafe apo çaj që i ”zoti i shtëpisë” Ilir Meta ia ofroi në fillim të takimit dhe në prani të kamerave.
Presidenti Ilir Meta nisi në orën 09:30 konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm.
Të parët që hynë në Presidencë për konsultime ishin krerët e partive të vogla të koalicionit opozitar të udhëhequr nga Partia Demokratike. Në përfundim të takimit me Metën, Shpëtim Idrizi tha se i kishte kërkuar Presidentit caktimin e datës më të afërt zgjedhore që lejon Kushtetuta dhe ligji elektoral, pasi sipas tij, vendi është në krizë të thellë.
“Zgjedhjet të zhvillohen sa më parë pasi vendi është në krizë të thellë. Presidentit i kërkova datën më të afërt që na lejon Kushtetuta për zhvillimin e zgjedhjeve”, deklaroi ai.

Data më e afërt zgjedhore sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ndryshimeve të Kodit Zgjedhor pas marrëveshjes së 5 qershor është 18 prilli. Këtë datë kanë kërkuar edhe përfaqësuesit e tjerë të koalicionit opozitar, datë që pritet të zyrtarizohet formalisht edhe nga Lulzim Basha në takimin e këtij të fundit me Metën.
“Shumica e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot dhe jo nesër. Janë të lodhur nga propagandë, qytetarët kanë nevojë për punë, mjekët kanë nevojë për rritje pagash për tu përballur me kolapsin e sistemit shëndetësor.
Të rinjtë kanë nevojë për arsimim dhe punësim që të qëndrojnë këtu në Shqipëri.
Pensionistët kanë nevojë për rritje reale të pensioneve. Shumica kërkojnë zgjedhje sot, për ne është e rëndësishme që procesi të jetë iu lirë dhe i ndershëm”, tha Basha pas takimit 25 minutash me Metën.
Në fund, Basha e mbylli me fjalët e Nënë Terezës:
“E djeshmja ka shkuar e nesërmja nuk ka ardhur akoma, prandaj të fillojmë e të punojmë menjëherë për të sotmen dhe për të nesërmen”.
Basha nuk dha datë konkrete, por në qëndrimin e tij u përcoll qartë synimi se opozita do zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur. Dhe data më e afërt zgjedhore sipas përcaktimeve kushtetuese dhe ndryshimeve të Kodit Zgjedhor është 18 prilli.

Në Presidencë në të paktat raste qysh prej zgjedhjes se Ilir Metës si President, ka mbërritur edhe Monika Kryemadhi e shoqëruar nga Endrit Braimllari.
Kryemadhi tha se LSI-ja do të respektojë çdo dekret të Presidentit për zgjedhjet.
“Ia bëmë të qartë Presidentit që LSI do zbatojë çdo vendim e dekret të presidentit që është kushtetues e do marrë pjesë në çdo proces zgjedhor që do i garantojë shqiptarëve qeverisjen e ardhshme evropiane për të cilën kanë aspiruar prej kohësh. S’ka gjë më të rëndësishme sa ti japësh shqiptareve një datë që po e presin prej kohësh. Zgjedhjet duheshin bërë 2 vjet më parë, por çdo detaj i vogël që mund të thotë ç’bëri e sotmja e ç’bëri e nesërmja është të tallesh me çështjet e shqiptarëve”, tha kryetarja e LSI pas takimit.
“Sa më shpejt zgjedhjet, aq më mirë për të gjithë”, shtoi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje