Populli i Barcelonës ka marrë frymë thellë, pasi Mesi vendosi të qëndrojë në Katalonjë, pasi kështu evitoi një lamtumirë traumatike të idhullit të vet. Po tani, çfarë do të ndodhë në “Camp Nou”? Çfarë sezoni do të jetë me Mesin të ndarë në shtëpi? Edhe pse argjentinasi ka thënë se do të japë gjithmonë maksimumin për të sjellë tituj të tjerë, për ambicie personale dhe për respekt të fanellës, sërish ka shumë të panjohura për bashkëjetesën e 10 muajve të ardhshëm.
Përtej deklaratave për dashurinë për fanellën, është fakt që Mesi kishte vendosur të largohej. “Mundja e dorës” mes tij dhe drejtuesve për ta lënë të lirë, sigurisht që do të lërë gjurmë. Po ashtu, rreziku i spekulimeve tashmë është shumë i madh. Në paraqitjen e parë të dobët dhe për çdo rezultat zhgënjyes, “pleshti” do të jete në qendër të kritikave. Një situatë e pazakontë për të, do të jetë në “provim” dhe do të shigjetohet edhe për gabimin më të vogël. Nëse deri dje ishte “fari” i skuadrës dhe shpëtimtari në çdo moment të vështirë, argjentinasi mund të përfundojë në shënjestër dhe të konsiderohet shkaktar për çdo rezultat negativ.

Nga idhull i përjetshëm, argjentinasi mund të bëhet “viktimë”. Duket ditur vullnetin e tij për t’u larguar, shtypi dhe tifozët nuk do ta falin në asnjë moment. Për të mos folur për drejtuesit, me në krye presidentin Bartomeu (armiku numër 1 i tij), që do ta sulmojnë për të mbuluar në çdo rast fajet e tyre.
Mesi do të gjendet në një zonë të minuar dhe në dhomën e zhveshjes, deri dje mbretëria e tij. Ai ka folur së fundi për “miq falsë”, duke ngritur dyshimin se ka prishur marrëdhëniet edhe me shokët e ekipit. Është e habitshme heshtja, me të cilën ekipi ka ndjekur zhvillimet e fundit. Asnjë mesazh mbështetjeje për Mesin, asnjë qëndrim.
Të vetmit që kanë lënë të kuptohet se janë ën krahun e Mesit, janë Luis Suarez, me të cilin argjentinasi është takuar çdo ditë, dhe Arturo Vidal, që ka postuar mesazhe inkurajimi në rrjetet sociale, por duke e ditur që do të largohej nga ekipi. E habitshme heshtja e senatorëve Pike dhe Ter Shtegen, kurse Rakitiç u shpreh se nuk bënte pjesë në rrethin e miqve të Mesit. Janë edhe ata që kurrë nuk kanë pasur marrëdhënie të mirë kapitenin, Grizman dhe Dembele, të cilëve Koeman synon t’u japë një rol protagonisti. Kështu, dhoma e zhveshjes do të jetë një minë me sahat, gati të shpërthejë në çdo moment, Mesi duhet të jetë i përgatitur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje