Historia e sulmuesit më të ri të Lacios, Vedat Muriqit, është si nëpër filma. Nga lufta, në Serinë A. “Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull jetës së futbollistit kosovar, i kërkuar me ngulm dhe i blerë nga Igli Tare për 18 milionë euro. Ja çfarë shkruan konkretisht prestigjiozja italiane:
Pas futbollit ka shumë gjëra, ndoshta gjithçka. Sepse historia e Vedat Muriqit është vuajtje, frikë, vdekje, luftë. I lindur në Prizren, në moshën 6-vjeçare ai shkoi në Shqipëri pas një udhëtimi të gjatë nga shtëpia në shtëpi, pa makinë. “Ishim 50 vetë, flinim në një kantinë dhe kishim vetëm 2 litra qumësht për të shuar urinë e të gjithëve”, – kujton sulmuesi. Nëna e tij qante, jo vetëm për luftën. “Hanim bukë me qepë në mëngjes, drekë dhe darkë”, – shton Muriqi, i cili ka parë gjithçka.

Vedati, 26 vjeç, do të luajë në Ligën e Kampionëve pas një jetë sakrificash. Luante te Giresunspori 5 vjet më parë dhe shënonte 17 gola në Serinë B turke. Në janar të 2018-ës u bashkua me Rizesporin që synonte Superioren, shënoi 8 gola dhe më pas 17 të tjerë në elitën e futbollit turk. Ishte “i përkëdheluri” i Okan Buruk, ish-lojtarit të Interit, sot trajner, i cili shprehej: “Është sulmuesi më i mirë në Turqi”.
Ky vend e bëri të njohur dhe provoi ta natyralizonte, por mori një ‘Jo’ të thatë. “Kam ëndërruar gjithmonë të luaj për Kosovën”, – thoshte Muriqi. Dhe ia doli në 2016-ën, kur Kosova u njoh nga FIFA. Tani është sulmuesi më i mirë i Kosovës, me 8 gola në 23 ndeshje. Mendja i shkon gjithmonë tek i ati, ish-futbollist, i ndarë nga jeta pas një infarkti në fushë, gjatë një ndeshjeje. Vedati i ka vënë të birit emrin e tij.
Bernard Shaland, trajneri i Kosovës, e ka përshkruar si “një luftëtar, një lojtar që e luan çdo ndeshje si të ishte e fundit”. Tipike për ata që vijnë nga Ballkani, një vend me plagë të thella, një kartonë bardhezi që është më mirë ta mbash mbyllur në sirtar. Xheko, për shembull, shpëtoi nga një bombë, sepse nëna nuk e lejoi të shkonte të luante. Lovren, kroati i Zenitit dhe kampion Europe me Liverpulin, ka pasur një fëmijëri refugjati. Ai shkoi në Gjermani pas 17 orësh udhëtim bashkë me familjen. Senad Luliç, tani shok skuadre me Muriqin, ka lindur në Mostar, në qytetin me urën që ndante të krishterët nga myslimanët. Një plagë e hapur ende.

Muriqi është një nga ata që e kanë parë vdekjen me sy. Një mëngjes, ushtarët serbë e gjetën Vedatin dhe familjen e tij në një shtëpi, por siguresat e pushkëve të tyre mbetën të mbyllura. “Na morën sendet me vlerë dhe paratë. Na thanë se do ta bombardonin shtëpinë tonë, nëse nuk iknim brenda dy orësh. Ikëm menjëherë, të mbrojtur nga Allahu”, – kujton Muriqi, i cili në 2016-ën ndihmoi fëmijët sirianë gjatë luftës civile, duke u dërguar para: “Kur ndizja televizorin dhe shihja ato pamje, të njëjta me ato të familjes sime, duhej të bëja diçka”.
Tani vjen te Lacio për të luajtur kartat e tij, i kërkuar nga Tare. Ai pagoi 18 milionë euro dhe kjo është blera e dytë më e shtrenjtë e kohës së Lotitos, pas Zarates. Ka kushtuar më shumë se Korrea, Hernanes, Laxari dhe Milinkoviç-Saviç. Sezonin e fundit shënoi 17 gola me Fenerbahçen dhe 3 me Kosovën, njërin ndaj Anglisë në “Wembley”.
Një sulmues i fortë fizikisht. Buruk thotë luan më mirë me skemën 3-5-2, Shaland shprehet se mund të shkojë më mirë me Korrean se Imobilen, kurse Maks Kruse, shok ekipi te Fenerbahçe, thekson se është si Levandovski. I gjatë, 1.94 centimetra që të fusin frikën, 75 gola si profesionist dhe shumë i uritur. Mendon dhe kujton gjithmonë nga ka ardhur. Sytë i lotojnë dhe këtë herë jo nga qepa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje