Futboll

Tare në sulmin final për Kumbullën, Manajt i del emri te Verona

Igli Tare deklaronte disa ditë më parë se Marash Kumbulla nuk ishte më objektiv i Lacios, por, me sa duket, kjo është pjesë e strategjisë së merkatos. Në të vërtetë, drejtori sportiv i Lacios po ngulmon për mbrojtësin kuqezi të Veronës, duke bërë një ofertë të fundit.

Veronës i janë ofruar 20 milionë euro, plus kartoni i Andre Andersonit për të marrë Kumbullën, 20-vjeçarin që prej kohësh është dëshirë e shumë klubeve të mëdha italiane dhe kampionateve të tjera. Një ofertë gati e ngjashme është refuzuar nga Verona në muajin qershor dhe duket se Tare dhe Lotito duhet të shtojnë diçka për të finalizuar marrëveshjen. Me shumë mundësi, Tare do të ofrojë ndonjë lojtar tjetër të Lacios për t’ia arritur qëllimit. Vetëm pak ditë më parë ai firmosi me sulmuesin e Kosovës, Vedat Muriqi, duke paguar 18 milionë euro te Fenerbahçe.

Nga ndeshja Shqipëri-Lituani, 0-1. Manaj në një dyluftim ajror. Gazeta Si, 8 shtator 2020

Rei Manaj është një tjetër futbollist i Kombëtares, të cilit i ka dalë emrin në lajmet e merkatos së shtypit sportiv italian. Sulmuesi i Barcelonës B, i cili luajti titullar në të dyja ndeshjet e fundit, me Bjellorusinë dhe Lituaninë, kërkohet pikërisht nga Verona, skuadra e Kumbullës. Por, edhe nëse Manaj kthehet në Serinë A, nuk do të luajë bashkë me Kumbullën, pasi ky i fundit është me “valixhe në duar” dhe për momentin Lacio mund të jetë më afër. Mbrojtësi mungoi në dy ndeshjet e kuqezinjve për shkak të një dëmtimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë