Qysh prej fillimit të muajit shtator, kryeministri Edi Rama ka marrë përsipër një protagonizëm të shtuar tek arsimi në prag të nisjes së viti të ri shkollor.
Në tre takime të rëndësishme që ka zhvilluar këto ditë, Rama ka pasur në krah edhe ministren e Arsimit Besa Shahini e cila vetëm një ditë më parë, në një interviste televizive, surprizoi se përtej këtij mandati ajo nuk do të qëndronte më në Shqipëri.
Familja e saj jeton në Kosovë dhe vetëm së fundmi, Shahini njoftoi se distanca për të ishte e vështirë të menaxhohej, nisur edhe nga ngarkesa e madhe në punë.
Edhe pse i ka premtuar shefit të qeverisë se do të vijojë të shërbej për aq kohë në ndërtimin e politikave arsimore, Rama në një situatë të pazakonte për vendin dhe në periudhën e një debati të madh se si do të hapen shkollat, nuk ka humbur kohë.
Ai ka ndërmarrë një sërë takimesh më mësues për të njoftuar dhe dalë përtej broshurave apo videove sensibilizuese të përcjella nga ministria e Arsimit.
E bëri këtë gjë edhe të martën në shkollën e fizkulturës në Durrës, përmes një bashkëbisedimi mbi mënyrën e zhvillimit të vitit të ri shkollor, në kushtet e reja të krijuara nga pandemia e Covid-19.
Dy ditë më parë, teksa ministria e Arsimit shpërndante në Facebook me video sensibilizuese dhe demonstruese, pastrimin e shkollave, dezinfektimin dhe nevojën për ajrosje të vazhdueshme gjatë procesit mësimor apo edhe mënyrat që planifikohen për mësimin online nëpërmjet platformës Akademi.al, kryeministri Rama mblodhi mësues kontributorë në kanalin e dedikuar “RTSH shkollë”. Rama njoftoi një vendim që prek vetë mësuesit se, qeveria që ai drejton ishte duke menduar sistem të vlerësimit të mësuesve, ku ata më të mirë, duhet të vlerësohen financiarisht ndryshe nga të tjerët, në bazë kriteresh strikte dhe rezultatesh të matshme.
“Sidoqoftë, për të gjithë mësuesit, ne duam të bëjmë ashtu si dhe për mjekët, një rritje të re të pagave dhe besojmë që kjo do të behet shumë shpejt, me buxhetin e ri”, premtoi ai.
Edhe në takimin online me drejtorët e Drejtorive Arsimore në 1 shtator Rama doli përtej udhëzuesit të ministrisë së Arsimit për fillimin e vitit shkollor 2020-2021. Pasi e vlerësoi si të thelluar përmbajtjen (e udhëzuesit), Rama doli tek problemi kryesor se sa do të zbatohej në praktikë, duke kërkuar paralelisht energji të shtuar nga mësuesit.
Pas kërkesës për trajnim të vazhdueshëm të drejtuesve të institucioneve arsimore, takimeve në bashkëpunim me pushtetin vendor, pajisjen me bazë materiale të nevojshme, si detergjentë, doreza, maska, dezinfektantë me bazë klori dhe alkool, termometra… etj., Rama njoftoi se do të ketë edhe një person të dedikuar nga sistemi i shëndetit publik pranë shkollës. Foli gjithashtu për dyfishim të punonjësve të shërbimit psikosocial, rritje kujdesi për kategori të caktuara nxënësish dhe staf shtesë për përballimin e mësimit me turne për shkak të kushteve të distancimit fizik.
Paralelisht, Rama ka shtuar edhe inspektimet në kantierët e rindërtimit të shkollave nga tërmeti i 26 nëntorit. Jo më larg se të martën ai ishte për inspektim në dy shkolla në Durrës.
Zgjedhjet janë vetëm disa muaj larg, ndërsa Rama, në kërkim të një mandati të tretë, po kërkon energji të shtuar, sepse siç u shpreh edhe vetë ai pak ditë më parë, kush ndihet i lodhur në këtë qeveri le të ulet në stolin rezervë, ose të largohet Dikush tjetër duhet të vijë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje