Rusia ka humbur terren në dekadat e fundit në tregun e shitjes së armëve tek Qeveritë, sidomos në Lindjen e Mesme, për shkak se gjithnjë e më shumë këto vende po zgjedhin armët amerikane, ose europiane që janë më të lehta dhe me saktësi më të madhe, pavarësisht kostos më të lartë.
Edhe krenaria e flamuri i rusëve në këtë sektor, “Kallashnikovi” nuk po gjen më tregjet që ka pasur vite më parë. Për t’iu përshtatur kërkesave të reja të tregut, kompania ruse “Kalashnikov Concern” prezantoi modelin e ri të armës më të shitur në botë.
Bëhet fjalë për një ndryshim madhor. Arma e re, e pagëzuar me emrin AK-19 (AK në nder të projektuesit fillestar të armës, Aleksandër Kallashnikov dhe 19 për vitin e prodhimit 2019), që plotëson edhe parametrat e NATO-s me predha 5.56×45 mm.

AK-19 u prezantua në panairin “Army 2020 në Moskë. Synimi i kompanisë është që të pushtojë tregjet e vendeve arabe, që nga Mbretëria Saudite, apo Emirateve të Bashkuara Arabe, aktualisht të dominuara nga prodhuesit amerikanë dhe europianë.
Por, kreu i kompanisë, Dmitry Tarasov nuk përjashtoi mundësinë që kontrata shitjesh të nënshkruhen edhe me vende të NATO-s, nëse këto të fundit janë dakord. Ajo që ofron Kallashnikovi i ri, sipas rusëve, është saktësia në qitje si e M4 e famshme amerikane, HK416 gjermane dhe FN SCAR belge, me peshë më të lehtë, por me çmim shumë herë më të lirë.
“Armët me predha 5.56×45 milimetra janë më populloret në botë. Kjo na jep akses tek qindra tregje që aktualisht përdorin pushkët e NATO-s. Tani mund të marrim pjesë në tendera dhe të bëjmë ofertën tonë, që është më e arsyeshme (financiarisht) se rivalët tanë, por edhe duke i rivalizuar në cilësi”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Modeli i ri i Kallashnikovit në pamje të parë nuk ndryshon shumë në krahasim me modelin AK-12, që aktualisht përdoret nga ushtria ruse. Dallimi qëndron në detaje. AK-19 ka predha më të vogla, peshë më të lehtë dhe rrjedhimisht edhe rrezen vdekjeprurëse më të vogël, që shkon deri në 250 metra, 50 metra më pak se AK-12.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)







Lini një Përgjigje