Politike

Kryemadhi: Besa Shahini nuk mund të ikë pa dhënë llogari për punën e saj

Partia Demokratike nuk ka komentuar ende, por kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e ka një qëndrim  për deklaratën e beftë të Ministres së Arsimit, Besa Shahini, se do të largohej nga Shqipëria pas këtij mandati.

“Besa Shahini nuk duhet thjesht të japë dorëheqjen dhe të largohet por duhet të mbajë përgjegjësi për të gjitha ato që ka bërë në krye të ministrisë së Arsimit”, tha Kryemadhi gjatë vijimit të turit të saj në takimet me të rinjtë.

“Ne besojmë te të rinjtë dhe duke besuar te të rinjtë arritëm gjithmonë për të fituar beteja të rëndësishme dhe në fakt për një familje gjëja më e rëndësishme janë fëmijët. Për një familje arsimimi i fëmijëve është më i rëndësishmi. Për një familje e ardhmja e fëmijëve është më e rëndësishme. Prindërit për fëmijët bëjnë çdo gjë. Prindërit për fëmijët japin jetën dhe ne si LSI gjithë bazën tonë, gjithë forcën tonë e kemi te të rinjtë dhe aty do investohemi tek angazhimi i të rinjve për t’u përfshirë ata, për të qenë pjesë e vendimmarrjes. Një pjesë e juaja kanë qenë viktimë e maturës shtetërore, një pjesë tjetër janë ende të pasigurt se çdo të ndodhë me maturën shtetërore dhe pastaj dëgjojmë që ministrja thotë që ‘unë do iki tani se mbarova punë dhe nuk rri më në Shqipëri’. Si mund të ikë ajo pa dhënë llogari për atë çfarë ka bërë? Më e pakta të na japë përgjigje se çfarë bëri Turi. Mos lejoni që të vendosin të tjerët për fatin tuaj! Vendosni ju për fatin tuaj!”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë