Turqia konfirmoi sot se do të vazhdojë përpara me planet për stërvitje të përbashkët ushtarake me Rusinë në Detin Mesdhe. Ushtrimet pranë brigjeve greke do të zhvillohen nga 8 deri në 22 shtator dhe më pas në 17-25 shtator dhe mësohet se do përfshijnë topa me barut të vërtetë,
Megjithëse stërvitjet nuk do të zhvillohen në ujërat e kontestuara midis Turqisë dhe Greqisë, përfshirja e Rusisë me gjasë mund të shtojë tensionet midis dy vendeve.
Në korrik, Turqia dërgoi një anije kërkimi të shoqëruar nga anije luftarake për të kërkuar rezerva të pashfrytëzuara nafte në ujërat mesdhetare lindore që pretendohen gjithashtu nga Greqia dhe Qipro. Që nga ajo kohë, dy vendet fqinje janë përfshirë në një përplasje të nxehtë, me Greqinë që dërgon anije luftarake në ujërat e saj. Në fund të këtij muaji, gjashtë avionë luftarakë grekë detyruan një anije turke të largohej nga ujërat e kontestuara.
Rusia po e paraqet veten si aleati më i mirë i Turqisë, duke shfrytëzuar tensionet me Greqinë për të rritur prezencën ushtarake në Mesdhe dhe për t’u kthyer në një faktor të rëndësishëm politik kur bëhet fjalë për zgjidhjen e konflikteve.

Njoftimi për stërvitjen detare të Rusisë erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara vendosën të heqin dorë nga një embargo 33-vjeçare e armëve në Qipro. Kufizimet do të hiqen duke filluar nga 1 Tetori për një vit. Problemi është se SHBA kushtëzoi heqjen e embargos ndaj Qipros duke i mohuar anijeve ushtarake ruse hyrjen në portet e Qipros.
“Vendimi i SHBA injoroi barazinë dhe ekuilibrin midis dy popujve në ishull”, tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk e rishikojnë vendimin e tyre dhe nuk mbështesin përpjekjet për vendosjen e paqes, Turqia tha se “do të ndërmarrë hapa të domosdoshëm të kundërt për të garantuar sigurinë e popullit qipriot turk”.
Marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë janë forcuar vitet e fundit përmes një partneriteti ushtarak në Siri dhe blerjes së Ankarasë të sistemit raketor S-400. Turqia gjithashtu kohët e fundit njoftoi hapjen e termocentralit të saj të parë bërthamor, i cili do të jetë prodhim rus.
Ndërhyrja ruse në Mesdhe vjen pas muajsh përpjekjesh të Bashkimit Europian, të udhëhequr nga Gjermania, për të ulur tensionet.

Rusia gëzon marrëdhënie të mira si me Ankaranë dhe me Nikosinë dhe është e përfshirë në projekte energjetike përgjatë Mesdheut lindor, por ndërhyrjet e Moskës mund të komplikojnë bisedimet e Europës. Shtetet e Bashkuara, të përfshira në një fushatë të ashpër zgjedhore, duket se po injoron situatën.
Megjithëse Rusia ka thënë me zë të lartë se ligji ndërkombëtar duhet të zbatohet në Mesdheun Lindor, i cili favorizon Greqinë dhe Qipron, në praktikë ajo po mbëshet turqit, për të siguruar interesat e saj në rajon.
Dje, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ishte në Qipro, ku theksoi lidhjet e forta historike midis Qipros dhe Rusisë. Ajo vjen gjithashtu ndërsa Zëvendës Ministri i Jashtëm i Greqisë tha se Athina dëshiron të forcojë lidhjet e saj me Moskën që u dobësuan nga qeveria e mëparshme e Aleksis Tsipras. Këto zhvillime në Nikosia dhe Athinë me Moskën shfaqen ndërsa Ministria e Jashtme ruse tha se Greqia është “partneri tradicional” i Rusisë në Evropë vetëm disa ditë më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje