Futboll

Juventusi në kërkim të sulmuesve, Kean dhe Morata drejt rikthimit

Pasi ka ndarë rrugët me Gonzalo Higuain, i cili ka shkuar tek Majemi në Amerikë, Juventusi është në kërkim të sulmuesve, kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga nisja e kampionatit. Trajneri Andrea Pirlo ka kërkuar dy qendërsulmues dhe përveç Luis Suarezit, drejtuesit bardhezi po shohin pista të tjera.

Një pistë është rikthimi i Moise Kean në huazim nga Evertoni për të kompletuar repartin që ka nevojë për një protagonist kryesor në krah të Dibalës deh Ronaldos. Alvaro Morata është një tjetër emër dhe ndoshta ai më i nxehti për merkaton e Juventusit. Edhe për të do të ishte një rikthim. Situata është jo pak e komplikuar dhe koha sa vjen dhe limitohet.

Moise Kean me fanellën e Juventusit. Gazeta Si, 11 shtator 2020

Ndoshta Moise Kean dhe Alvaro Morata nuk janë zgjedhjet e para të Pirlos, por janë rrugët më pak të rrezikshme për t’u përshkuar në këtë moment. Juventusi mund të shfrytëzojë faktin se edhe lojtarët në fjalë janë të interesuar dhe mund t’i shtyjnë skuadrat e tyre aktuale për t’u rikthyer bardhezi. Për Kean bëhet fjalë për një huazim pas sezonit zhgënjyes në Premier Ligë, kurse për Moratën është pak më e vështirë që të zhbllokohet situata me Atletiko Madridin.

Luis Suarez ishte objektivi i parë i Juventusit, por procedura për të marrë pasaportën italiane është e gjatë dhe komplekse. Nga Spanja ka zëra të ndryshëm për të ardhmen e uruguaianit të Barcelonës, mes tyre edhe një zë që e çon tek Atletiko Madrid, ndoshta pikërisht në vend të Moratës. Juventusi shpreson. Edin Xheko, profili i preferuar i Pirlos, ka shumë pak shanse, pasi Roma nuk e lejon largimin e tij, sidomos pas dëmtimit të Xaniolos. Emra të tjerë për sulmin juventin janë Milik dhe Zhiru.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë