Futboll

Fillon Premier Liga, Siti favorit ndaj Liverpulit për titullin kampion

Me ndeshjen Fulham-Arsenal, e programuar për nesër në orën 13:30, nis zyrtarisht kampionati i ri Premier Ligës. Sigurisht, luhet me dyer të mbyllura. Kompanitë e basteve shohin si favorit për titullin kampion Mançester Sitin, pastaj me radhë Liverpuli kampion në fuqi, Mançester Junajtid, Çelsi dhe Arsenali.

Fuqia e jashtëzakonshme ekonomike që ka Mançester Siti i ka shtuar ndjeshëm shanset për fitimin e titullit nga “qytetarët”, duke lënë pas Liverpulin e Jurgen Klop. Pep Guardiola ka shpenzuar 60 milionë për të forcuar mbrojtjen: nga Burnemuthi ka marrë Nathan Akè dhe nga Valencia Ferran Torres. Ditët e fundit Rijad Mahrez dhe Aimerik Laporte kanë rezultuar pozitivë me Koronavirus, por duhet të jenë gati për ndeshjen e së hënës me Volverhempton.

Ferran Torres, një nga blerjet e mëdha të Mançester Sitit. Gazeta Si, 11 shtator 2020

Në pritje të Tiago Alkantarës, i kërkuar me ngulm nga Jurgen Klop, por ende larg lamtumirë nga Bajern Mynih, deri tani kampionët janë mjaftuar me blerjen e mbrojtësit të majtë të Olimpiakosit, Konstantinos Tsimikas, për 13 milionë euro. Për këtë arsye Siti konsiderohet favorit në raport me Liverpulin. Kandidati i tretë në luftën për titull është Çelsi i Frenk Lampard, që ka shpenzuar më shumë në merkaton verore, duke marrë Ben Çiluell nga Leiçesteri, Hakim Ziesh nga Ajaksi, Tiago Silvën nga PSG-ja dhe gjermanin Timo Verner, për të cilin u paguan te Lajcigu 55 milionë euro.

Me ambicie e nis sezonin edhe Evertoni i Karlo Ançelotit, që ka bërë dy goditje të rëndësishme, kolumbianin Hames Rodriguez dhe brazilianin Alan. Totenhem-Everton është kryendeshja e javës së parë të kampionatit. Ançeloti sfidon Mourinjon në një ndeshje, ku faktori fushë është thelbësor, duke parë që 5 nga 7 ndeshjet e fundit i kanë fituar Spërsat. Nga java e parë janë shtyrë ndeshjet Bërnli-Mançester Junajtid dhe Mançester Siti-Aston Vila, për shkak të impenjimeve europianë të skuadrave të Mançesterit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë