Politike

22 vjet nga vrasja e Azemit, homazhet nga PD dhe premtimi i Rudinës për të atin

E vetmja ceremoni ku familja “Hajdari” shihet në bllok me drejtuesit e PD-së është përvjetori i vrasjes së Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Edhe pse ftohtë, duke respektuar rregullat anti-Covid, Rudina Hajdari bashkë me të vëllain dhe të ëmën, Fatmira Hajdari morën pjesë në ceremoninë e organizuar nga PD-ja në 22 vjetorin e ndarjes nga jeta të Azemit.

Fillimisht Basha, e më pas Berisha, të ndjekur nga zyrtarë të tjerë zhvilluan homazhe pranë memorialit të Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari.

Kurorë me lule vendosi edhe familja Hajdari. Video e shpërndarë nga PD-ja përcjell një pamje të ftohtë mes Rudinës, Bashës dhe Berishës, ndërsa nuk ka munguar edhe një koment i kryetarit demokrat, siç ia do edhe dita për rastin në fjalë.

“E sotmja është po ashtu një thirrje për rininë që të mos shohin ikjen si zgjidhje, por përballjen dhe fitoren, ashtu siç bëri Azem Hajdari në dhjetorin e 1990 e në vitet që pasuan.

Vepra e Azem Hajdarit është dëshmia e qartë se askush dhe asgjë nuk mund ta ndalë dëshirën, energjinë dhe vendosmërinë e rinisë por edhe të popullit shqiptar për ndryshim. Ndaj është koha që me frymëzimin e Azemit dhe bashkëluftëtarëve të tij të viteve ’90, të hapim rrugën e lirisë, demokracisë, mundësive të barabarta, Shqipërisë si gjithë Europa”, tha Basha.

Do fjalë i përcolli edhe Rudina, por jo gjatë ceremonisë, por në faqen e saj në Facebook.

“Babi, 22 vite pa ty pranë fizikisht janë shumë. Por ti je me mua përditë.

Je me mua kur zgjohem dhe shpesh e ndiej sikur me thua si dikur pasuria e gjithë botës është në duart e tua kur je njeri i lirë dhe i ndershëm.

Je me mua kur luftoj, e ndiej fuqinë tënde që më motivon dhe më shtyn të fitoj.

Je me mua kur takoj mijëra shqiptarë të cilët ende sot mbas 22 vitesh të kujtojnë sikur të kishin takuar dje.

Je me mua kur më jep forcën të ndjek rrugën tënde. Rrugën e drejtësisë, rrugën e lirisë, rrugën e njerëzve të lirë.

Më ka marrë malli, por të ndiej përditë, sepse mundohem të eci në hapat e tua.

Në hapat e një njeriu që kurrë nuk e tregtoi lirinë.

Do eci, ta premtoj!”, shkruan Rudina Hajdari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë