Futboll

Video/ Ançeloti mposht Mourinjon, Evertoni bind në start

Karlo Ançeloti dhe Zhoze Mourinjo nuk barazojnë kurrë mes tyre, 4-3 në favor të portugezit është bilanci në ndeshjet direkt. Pas humbjes së dy muajve më parë, trajneri italian ka marrë hak, duke fituar në fushën e Totenhemit me një gol të Kalvert-Leuin në pjesën e dytë të ndeshjes së javës së parë të kampionatit.

Evertoni e ka merituar plotësisht fitoren. Riçarlison me shokë kanë krijuar mjaft raste dhe kanë marrë 3 pikët në Londër. Edhe Totenhemi pati rastet e veta, por Pikford ka bërë ndërhyrje shpëtimtare ndaj gjuajtjeve të Dele Alit dhe Dohertit. Edhe trajneri Mourinjo ka vlerësuar lojën e kundërshtarit: “Goli i Evertonit na bëri konfuzë, ata i merituan 3 pikët dhe jam i zhgënjyer për paraqitjen tonë. Nuk dua të gjej alibi për këtë humbje”, – tha trajneri portugez pas ndeshjes.

Goli që i dha fitoren Evertonit ndaj Totenhemit. Gazeta Si, 14 shtator 2020

Evertoni duket një skuadër tjetër pas merkatos verore. Mesfusha është bërë nga e para me Alan, Doukure dhe Rodriguez. Alan është vlerësuar si “lojtari i ndeshjes”, ai i ka dhënë shumë ekuilibër skuadrës së Ançelotit, por protagonistë të fitores ishin edhe portieri Pikford, Hames Rodriguez dhe Riçarlison.

Evertoni luajti shumë më mirë, bëri presin dhe shënoi atë gol që i dha fitoren e parë në kampionat. Pas krosit të Dinje, Kalvert-Leuin mposhti portierin Loris me kokë. Riçarlison i shkoi afër golit të dytë të paktën 3 herë, kurse Totenhemi nuk ia doli të impononte forcën e tij në këtë ndeshje. Që prej vitit 2012 Evertoni nuk arrinte ta kalonte Totenhemin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë