Rend dhe Ligj

Vjedhje në fshatrat e Himarës, pranga lushnjarit, në kërkim 3 të tjerë

Policia e Himarës ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, pasi ka zbardhur një sërë vjedhjesh të ndodhura në disa fshatra të Himarës.
Policia thotë se në sajë të operacionit të koduar “Qeparoi” pas hekurave përfundoi shtetasi me inicialet N. P., 42 vjeç, banues në Lushnjë.

Po ashtu janë shpallur në kërkim shtetasit me inicialet A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë.
46-vjeçari nga Lushnja në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, të cilat i kanë kryer në vende të ndryshme si banesa dhe ambiente të hapura.

“Më datë 31.07.2020, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve. Më datë 07.09.2020, në Himarë, kanë vjedhur 2 motomjete në pronësi të shtetasve N. P. dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, gjithashtu këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre.
Policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë