Politike

Ndryshimi i popullsisë, Tirana i merr një deputet Dibrës

Ndryshimet demografike detyrojnë edhe rishikimin e numrit të deputetëve që do të dalin nga zgjedhjet e 25 prillit nga secili prej 12 qarqeve të vendit.

Shtimi i popullsisë në Tiranë dhe tkurrja e saj në Dibër kanë bërë që qarkut të kryeqytetit t’i shtohet një mandat dhe nga 34 të nxjerrë 35 deputetë më 25 prill. Ndërkohë, në Qarkun e Dibrës ulja e numrit të banorëve prodhon efektin e kundërt dhe nga 6 mandate që dolën në zgjedhjet e 2017-ës të nxjerrë pesë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Në 10 qarqet e tjera nuk do të ketë ndryshime të numrit të deputetëve, ku Kukësi mbetet qarku me numrin më të ulët, vetëm 3 mandate dhe Fieri qarku i dytë më i madh pas Tiranës me 16 mandate.

Tkurrja e popullsisë si fenomen ndodh në të gjithë qarqet e vendit, me përjashtim të Tiranës. Instituti i Statistikave e theksoi këtë në parashikimin e ndryshimit demografik 2020-2030, ku ka gjetur se i vetmi qark, popullsia e të cilit do të rritet deri në vitin 2031 është Tirana. INSTAT parashikon që kjo rritje të jetë deri në 6.6 për qind të popullsisë aktuale të kryeqytetit dhe në vitin 2031 Tirana të përbëjë zyrtarisht rreth 35 për qind të popullsisë së Shqipërisë me rreth 950 mijë banorë.

Tkurrjen më të madhe të popullsisë INSTAT e parashikon në Kukës, Dibër, Gjirokastër dhe Berat. me shifra që shkojnë deri në mbi 20 për qind më pak banorë se aktualisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë