Politike

Erdogan e pret në rezidencën verore, një ditë para se Rama të zbresë në Athinë

Para vizitës në Athinë për pjesëmarrjen në një forum ekonomik të organizuar nga “The Economist”, Kryeministri Edi Rama është ndalur në Turqi për një takim me Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

Erdogan e ka pritur Ramën në vizitën jozyrtare në një nga rezidencat e tij verore në Marmara. Rama e konfirmon këtë përmes një fotoje dhe postimi në rrjetet sociale.

“Me Presidentin e Turqisë, mikun e çmuar Rexhep Taip Erdogan, në një nga bisedat gjatë qëndrimit në rezidencën e tij verore në Marmaris, ku folëm gjerësisht për marrëdhëniet mes Shqipërisë e Turqisë, sfidën e kohës për fuqizimin e ekonomisë në kushtet e përballjes me Covid-19, ecurinë e bashkëpunimit dypalësh, si edhe situatën në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, shkruan Rama.

Ky postim i kreut të Qeverisë shqiptare nxit edhe më fort zërat se mund të bëhet ndërmjetës në zbutjen e tensioneve mes Ankarasë dhe Athinës për pretendimet që të dyja vendet kanë për ujërat në Mesdheun Lindor.

Rama do të jetë të martën në Athinë për të marrë pjesë në forumin ekonomik rajonal. Temat e vetme që do të diskutohen në këtë forum janë ekonomike, por në mediat greke ka qarkulluar lajmi se në takimin mes Ramës dhe Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis do të diskutohet edhe çështja e detit.

Këto zhvillime mbërrijnë në një periudhë kur Greqia ka njoftuar zgjerimin me 12 milje të ujërave të veta territoriale në Detin Jon, një vendim që sipas Qeverisë shqiptare nuk prek ujërat territoriale shqiptare. Turqia nga ana tjetër ka paralajmëruar se nëse Greqia vendos zgjerimin me 12 milje në lindje, për të përbën shkak për luftë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë