Nuk ka ndryshuar asgjë në qëndrimin e opozitës, qyshse mazhoranca kaloi ndryshimet kushtetuese në fund të muajit Korrik.
Në një letër të gjatë, opozita, përmes Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, fillimisht bën një parantezë se si ndryshimet kushtetuese të muajit korrik, dëmtuan stabilitetin demokratik të vendit, procesin e integrimit, marrëveshjen 5 Qershorit, si dhe nuk zbatuan rekomandimin e parë të OSBE/ODIHR se partitë politike duhej të angazhoheshin në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës për reformën zgjedhore.
Për të kaluar më pas tek pranimi i ftesës së Damian Gjiknurit për t’ju futur punës në Këshillin Politik për ndryshimet kushtetuese, por me kushtin e paracaktuar nga PD që koalicionet parazgjedhore dhe ndarja e mandateve të mos ndryshojnë.
“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar nuk përfshihet në asnjë proces që cenon Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe rihap diskutimet nga e para për çështje që janë dakordësuar mes palëve dhe që tashmë janë LIGJ. Formula aktuale e koalicioneve parazgjedhore dhe për rrjedhojë formula e shpërndarjes së mandateve, është pjesë e ligjit nr. 101/2020, datë 23.07.2020, që kodifikoi Marrëveshjen e 5 Qershorit, veçanërisht në nenet 19 dhe 36, ku parashikohen koalicionet parazgjedhore të partive politike, që konkurrojnë në zgjedhje me lista të veçanta dhe mënyrën e ndarjes së mandateve brenda koalicionit. Për Opozitën këto dispozita ligjore janë të pandryshueshme”, thuhet në letër.
Opozita rikonfirmon se është dakord me hapjen 100 % të listave të kandidatëve dhe për këtë çështje ajo është e gatshme të vijojë punën në Këshillin Politik.
“Hapja e listave nuk ka asnjë lidhje kushtetuese, ligjore apo praktike, me formulën ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe ndarjen e zonave zgjedhore. Hapja e listave ka të bëjë me garën brenda vetë një partie politike. Koalicionet janë një mekanizëm ligjor që garanton mundësinë e partive politike për t’u grupuar sëbashku dhe për të ruajtur të padeformuar vullnetin e qytetarëve dhe votat e tyre brenda koalicionit. Rregullat për koalicionet parazgjedhore janë të lidhura drejtpërdrejt me garën elektorale mes palëve dhe janë mekanizëm që ndikon në rezultatin e zgjedhjeve mes palëve”, nënvizohet në letër.
Opozita sqaron se formula aktuale ligjore e koalicioneve zgjedhore dhe ndarja e mandateve, është bërë me konsensus mes palëve, si dhe i ka rezistuar reformave zgjedhore të vitit 2002, 2008 dhe 2012.
“Ajo është tërësisht në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë dhe me standardet më të mira europiane… Për më tepër, kjo formulë e koalicioneve parazgjedhore, është aplikuar në Shqipëri prej rreth 17 viteve, pavarësisht nga sistemi zgjedhor që ka qenë i aplikueshëm, dhe nuk ka shfaqur kurrë asnjë problem dhe nuk ka asnjë shqetësim të ngritur nga Raportet e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga OSBE-ODIHR apo Rekomandim nga OSBE-ODIHR për ndryshime të formulës ekzistuese të koalicioneve parazgjedhore dhe shpërndarjes së mandateve”, vijon letra.
Për Opozitën e Bashkuar rregullat e garës elektorale mes palëve nuk mund të ndryshohen 5 muaj përpara datës së regjistrimit në zgjedhje dhe qëndrueshmëria e ligjit, sipas saj, është esenciale për cilësinë e zgjedhjeve, sipas standardeve të Komisionit të Venecias dhe të OSBE-ODIHR. “Jemi jo më larg se 5 muaj nga momenti i regjistrimit në zgjedhjet e ardhshme dhe për pasojë, çdo ndryshim i rregullave të garës elektorale mes palëve, do të ishte antikushtetutes, për shkak se cenon parimin e sigurisë juridike, veçanërisht pritshmërinë e ligjshme të partive politike për t’u organizuar në zgjedhje sipas rregullave të shpallura dhe të njohura paraprakisht, mjaftueshëm përpara regjistrimit në zgjedhje (1 vit përpara datës së zgjedhjeve)”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje