Luhen sot ndeshjet e turit të dytë eliminator të Ligës së Europës, ku Shqipëria përfaqësohet me forca të plota, me të tria skuadrat që e kaluan turin e parë, Kukësi, Teuta dhe Laçi. Në këtë kompeticion vazhdon garën edhe Tirana që u eliminua nga Liga e Kampionëve, por shorti i dha shansin të kalojë direkt në turin e tretë. Kundërshtarët e tri skuadrave tona janë vërtet të fortë, por kualifikimi vendoset në një ndeshje dhe gjithçka mund të ndodhë.
Vëmendja është e gjitha te sfida Kukësi-Volfsburg, natyrisht për faktin se luajmë ndaj një ekipi me emër në Gjermani dhe në Europë. Nuk është ai Volfsburgu i frikshëm i disa viteve më parë, por nuk ka dyshim që gjermanët janë favoritë absolutë ndaj skuadrës së trajnerit Skënder Gega, i cili në konferencë shtypi shprehu besimin se të tijtë mund të bëjnë diçka pozitive në këtë ndeshje. Kjo ndeshje do të zhvillohet në “Air Albania Stadium”, në orën 20:00.

Radhën të luajë e para e ka sërish Teuta, që në orën 16:00 pret në stadiumin “Niko Dovana” spanjollët e Granadës. Edhe pse kundërshtari merr pjesë për herë të parë në historinë e tij në Kupat e Europës, është për t’u vlerësuar, mjafton fakti që vjen nga La Liga. Në radhët e spanjollëve luan ish-sulmuesi i Spanjës, Roberto Soldado, por edhe lojtarë të tjerë me emër, siç është francezi Gonalon. Trajneri i durrsakëve, Edi Martini, sot nuk ka në dispozicion mbrojtësin e djathtë Todorovski, i cili është i dëmtuar.
Laçi zbret në fushë në orën 19:00, këtë herë në stadiumin “Elbasan Arena”. Djemtë e Cungut përballen me izraelitët e Hapoel Ber Shevës, që është edhe kundërshtari më i lehtë në letër për tri skuadra tona. Laçi vjen me moral të lartë në këtë ndeshje, pasi kualifikimin në turin e parë e arriti në transfertë, ndaj azerëve të Keshlës.
Liga e Europës, turi i dytë
Sot
Teuta-Granada (16:00)
Laçi-Hapoel Ber Sheva (19:00)
Kukësi-Volfsburg (20:00)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje