Politike

PD dorëzon tre padi penale në SPAK, përfshi dhe Blendi Klosin

Partia Demokratike dorëzoi të enjten tre padi penale në SPAK.

“Blendi Klosi, Zamir Dedej, Edison Konomi dhe Tërmet Peçi duhet të mbajnë përgjegjësi penale për shkatërrimin e pasurive  natyrore të vendit.

Padia e parë ndaj Blendi Klosit dhe Drejtorëve të tij Dedej dhe Konomi bëhet për kthimin e Parkut Kombëtar Dajt në një gurore masive për interesat e xhepit të zyrtarëve dhe oligarkut të qeverisë “Gjoka Konstruksion”.

Parku Kombëtar i Dajtit dhe Monumentet e Natyrës si “Shkalla e Tujanit” (ku sipas ligjit duhen zbatuar masat më të rrepta të mbrojtjes së natyrës) janë kthyer në gurore masive dhe diga”, tha Jamarbër Malltezi përmes një konference për shtyp.

Padia e dytë e PD-së është për Zamir Dedej.

“Ai ka vjedhur, përmes shpërdorimit të detyrës rreth 490 mijë euro para publike (deri më sot) fillimisht duke çuar buxhetin e shtetit tek shoqata që drejtonte, derisa u emërua drejtor, e më pas në një shoqatë të paregjistruar fare në QKB dhe me NIPT që nuk ekziston! Kjo veç në Absurdistan mund të ndodhë. Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i ka me padi të gjitha të dhënat për shkeljen e ligjit”, tha ai

Padia e tretë është për Termet Peçin, kryebashkiakun e Tepelenës.

“Bashkë me Zamir Dedej kanë lejuar dhe dhënë leje për ndërtim objekti 6 katësh mu në shtrat lumi dhe mu në monumentin e natyrës “Uji i Ftohte”.

Ligji për Zonat e Mbrojtura dhe Ligji për Burimet Ujore e ndalojnë kategorikisht këtë gjë. Kufijtë e zonave të mbrojtura nuk mund të lëvizen sipas interesave të xhepit të zyrtarëve të korruptuar dhe për këtë krim mjedisor ata duhet të japin llogari”, tha Malltezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë