Politike

PD nxjerr formularët: Si po përdoret administrata për fushatë

Luan Baçi paralajmëroi përmes një konference për shtyp se do të depozitojë kallëzim penal ndaj kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi, “për presion ndaj administratës, në rast se nuk sigurojnë një numër të caktuar votuesish pro PS”.

“Ne po ju sjellim sot fakte të përfshirjes së drejtorëve të administratës në fushatën e partisë në pushtet.

Këtë janë 2 formularë të plotësuar nga persona realë që punojnë në administratë. Ata janë kërcënuar me largim nga puna, nëse nuk përmbushin detyrimin për të siguruar një numër të caktuar votuesish, që deklarohen pro Partisë Socialiste.

Njëri formular është plotësuar në Drejtorinë e Shëndetit Publik në Fier, nën drejtimin e Mirela Mitros.  Formulari tjetër i përket Bashkisë Fier me Kryetar Armando Subashin.

Në të dy këta formularë janë shënuar emra nga punonjësi i administratës. Përbri emrit është numri personal i kartës së identitetit, numri i  telefonit dhe njësia ku voton.

Ka vetëm një arsye pse Edi Rama e ka ndërmarrë këtë operacion të paligjshëm, duke kryer një krim elektoral, qe dënohet nga Kodi Penal. Është humbja e thellë dhe largimi nga pushteti në 25 Prillin e ardhshëm”, tha Baçi, duke bërë publike edhe formularët.

Për arsyet sa më sipër, Baçi tha se PD po bën gati edhe kallëzimin penal për personat përgjegjës.

“Si fillim, për Armando Subashin dhe Mirela Mitron po bëjmë gati kallëzimin penal për  “Përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të parashikuar në Kodin Penal.

Partia Demokratike garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshëm, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit”, tha ai


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë