Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të dorëzojnë asnjë draft për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ku të reflektohen ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave me të paktën dy të tretat e tyre.
Qëndrimi i është bërë i ditur Partisë Socialiste nga përfaqësuesit e PD-së dhe të LSI-së në këtë Këshill. Sipas opozitës, drafti me propozimet duhet të mbërrijë nga shumica, meqënëse është ajo që ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme Kushtetutën në Parlament.
Kërkesat e opozitës janë dy; hapje të plotë të listave dhe mosndryshim të formulës së koalicioneve parazgjedhore. Në mbledhjen e parë të Këshillit Politik, opozita kërkoi që t’i kërkohej një mendim OSBE/ODIHR për këtë çështje, duke e mbështetur këtë tek marrëveshja e 14 janarit, që detyron palët t’u drejtohen ekspertëve ndërkombëtarë nëse kanë përplasje për çështje të caktuara.
Por, mazhoranca e kundërshtoi duke deklaruar se në marrëveshjen e 14 janarit është rënë dakord që palët t’i adresohen OSBE/ODIHR për rekomandimet e këtij të fundit dhe duke qenë se hapja e listave nuk është pjesë e këtyre rekomandimeve, mazhoranca thotë se s’ka pse t’i drejtohen.
Në vend të kësaj, socialistët kanë vendosur 30 shtatorin si afatin e fundit për PD dhe LSI që të dorëzojnë një draft në Këshillin Politik, duke nënkuptuar se pas kësaj date do t’i kalojë e vetme këto ndryshime.
Mbledhja e radhës e Këshillit Politik është vendosur që të mbahet mesditën e së premtes, ndërkohë që Parlamenti u mblodh këtë të enjte në seancë plenare, ku ngriti edhe Komisionin e Posaçëm që do të filtrojë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Mazhoranca u zgjodhën Damian Gjiknurin për kryetar të këtij Komisioni, ndërsa anëtarë Alket Hysenin dhe Adnor Shametin. Nga grupet e opozitës parlamentare janë propozuar Myslim Murrizi dhe Edmond Stojku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje