Futboll

Nis Bundesliga/ Bajerni është i një tjetër planeti, 8 gola Shalkes

Vetëm 26 ditë më parë Bajern Mynih kompletoi tripletën sezonale, më pas 2 javë pushim dhe vetëm 4 minuta në ndeshjen hapëse të Bundesligës i mjaftojnë për të treguar se bën pjesë në një tjetër planet. Bavarezët kanë mundur Shalken 8-0, ku 3 herë shënoi Gnabri dhe nga një herë Goretzka, Levandovski, Myler, Sane dhe Musiala. Prej 18 vitesh nuk shënohej një gol brenda 4 minutave të para sezonale në Bundesligë. Ky është një tregues i fuqisë absolute të Bajernit.

Rezultati përfundimtar i Bajern-Shalke. Gazeta Si, 19 shtator 2020

Trajneri Flik hodhi në fushë nga minuta e parë debutuesin Sane, të cilin e vendosi bashkë me Myler dhe Gnabrin pas sulmuesit të vetëm, Levandovski. Bajerni kalon menjëherë në avantazh me Gnabrin, pas pasimit të saktë të Kimish. Shalke nuk arrin të reagojë në asnjë moment dhe dorëzohet para kundërshtarit. Goretzka realizon të dytin, Kabak rrëzon Levandovskin në zonë dhe polaku shëon të tretin nga pika e bardhë.

Edhe në pjesën e dytë muzika nuk ndryshon. Gnabri me portën bosh i bën 4 dhe më pas shënon edhe të 5-tin, duke firmosur tripletën personale. Një “rabona” e bukur e Levandovskit për Myler, i cili godet fluturimthi dhe 6-0. Është radha e Sane më pas të shënojë, pas një pasimi të Kimish. Mbyll serinë e golave Musiala, një lojtar i datëlindjes 2003. Bajerni, edhe pa Tiago Alkantarën që kaloi te Liverpuli, tregon se ka ende uri, ndërsa Shalke fuste ujë nga të gjitha anët.

Robert Levandovski feston golin ndaj Shalkes. Gazeta Si, 19 shtator 2020

Me këtë ndeshje, Bajern Mynih është skuadra me më shumë sezone në Bundesligë, 56 sezone, duke kaluar Hamburgun me 55 sezone. Bavarezët janë në këtë kategori që në vitin 1965, kur u ngjitën në nivelin elitar dhe nuk kanë rënë kurrë prej tij. Me 163 gola në Bundesligë me fanellën e Bajernit, Levandovski kalon Rumenigen dhe bëhet shënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit bavarez në kampionat, pas Gerd Mylerit me 365 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë