Mario Xhufredi, agjenti i Elseid Hysajt, kapitenit të Kombëtares, ka folur për të ardhmen e klientit të tij, duke i vënë një “ultimatum” Napolit. Ai kërkon rinovimin brenda datës 5 tetor, sepse në të kundërt nuk mund të bëhet asgjë.
“Ka pasur disa hapa përpara dhe gjithçka do të përshpejtohet pas shitjes së Milik, sepse kështu klubi do të ketë një çështje më pak. Duhet të arrijmë një marrëveshje që të kënaqë lojtarin. Interesi im është që Hysaj të rinovojë brenda datës 5 tetor, më pas nuk e di nëse mund ta bëjë diçka të tillë. Nuk varet më nga unë, unë e kam bërë atë që mund të bëja. Hysaj dhe Di Lorenco janë dy lojtarë shumë të çmuar për Gatuzon, pasi bëjnë disa role dhe e lejojnë klubin të ketë ndonjë lojtar më pak në mbrojtje”, – ka thënë Xhufredi për shtypin italian.

Situata e Hysajt te Napoli ka ndryshuar shumë shpesh. Ka pasur momente, kur ai ka qenë thuajse i larguar, por së fundi Gatuzo e ka aktivizuar më shumë dhe duket se është bindur për ta mbajtur në skuadër mbrojtësin shkodran. Klubi i fundit që ka pasur interes për kapitenin kuqezi është Roma, që sapo ka zyrtarizuar një tjetër mbrojtës të Kombëtares, Marash Kumbullën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje