Superiorja duhej të ngrinte sot siparin e kampionatit të ri, por topi ka “ngrirë” aktualisht për shkak të bojkotit të Ligës Profesioniste dhe FSHF-së, që janë në një “luftë” të hapur me qeverinë. Tifozët jo vetëm që nuk mund të shkojnë në stadium, por as nga televizori nuk kanë mundësi të shohin futboll.
Sipas vendimit të fundit të Ligës, kampionati do të nisë me javën e dytë, pasi e para u shty, ndërsa ndeshjet do të zgjatin vetëm pak minuta. Aq sa të lexohen në mes të fushës, para dy skuadrave dhe arbitrave, katër kërkesat e Ligës për qeverinë. Është vendosur që protokollet të jenë të plotë, pra me arbitra, delegatë dhe vëzhgues për të pesta ndeshjet në program. Pasi të lexojnë publikisht 4 kërkesat, skuadrat do të kthehen në shtëpi.

Një lloj proteste kjo e parashikuar ditë më parë nga Liga. Ajo që dëmtohet më shumë në këtë rast është skuadra e Vllaznisë, që duhet të udhëtojë drejt Korçës vetëm për të qenë 2 minuta në stadiumin e këtij qyteti. Mbetet për t’u parë, nëse të 10-a skuadrat e Superiores do ta respektojnë bojkotin, sepse ditët e fundit ka pasur edhe zëra kundër. Sipas kalendarit, Kukësi pret Partizanin, Tirana Teutën, Apolonia Bylisin dhe Laçi Kastriotin.
Të premten presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i është drejtuar Kryeministrit Edi Rama me një letër të hapur, ku i kërkon ndërhyrjen e tij për zhbllokimin e situatës dhe java e ardhshme pritet të ketë zhvillime konkrete. Më datë 21 shtator, Liga ka lënë mbledhjen e radhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje