Futboll

Nënshtetësia italiane, zbulohet mashtrimi me provimin e Luis Suarezit

Një hetim i Policisë dhe Prokurorisë së Peruxhias ka zbuluar se provimi i gjuhës për marrjen e nënshtetësisë italiane nga futbollisti Luis Suarez është kaluar me një mashtrim. Gjithçka ka qenë e parapërgatitur. Nga hetimi ka dalë se testi i italishtes i ishte bërë i ditur më parë sulmuesit uruguaian dhe se pikët ishin dhënë para se të kryej provimi.

Mes të akuzuarve për këtë çështje janë rektorja e Universitetit për të huajt në Peruxhia, Xhuliana Grego Boli, si dhe drejtori i përgjithshëm i Universitetit, Simone Olivieri. Nuk rezulton të jetë i përfshirë në hetim sulmuesi Luis Suarez.

Luis Suarez me fanellën e Barcelonës. Gazeta Si, 22 shtator 2020

Hetimet kanë nisur në fakt që në shkurt të 2020-ës për fakte të ndryshme. “Nga investigimi, – shkruhet në një komunikatë të firmosur nga Prokurori Rafaele Kantone, – ka rezultuar se argumentet e provimit ishin dakordësuar më parë me kandidatin dhe se pikët ishin dhënë para se të bëhej provimi”. Mbi të akuzuarit rëndon akuza për zbulim të sekretit zyrtar, falsitet ideologjik etj. Një veprim që vë në dyshim tashmë edhe transparencën e Universitetit.

Gjatë hetimeve është zbuluar edhe fakti se Luis Suarez është një futbollist që ka një pagë prej 10 milionë eurosh, kështu që duhej ta merrte provimin patjetër. Uruguaiani pritej te Juventusi, por bardhezinjtë sapo kanë zyrtarizuar Alvaro Moratën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë