Futboll

Mallkimi i Eden Hazard, dëmtimi i shtatë që kur është te Reali

Eden Hazard në verën e 2019-ës la Çelsin dhe kaloi te Reali i Madridit, ku do të zëvendësonte Kristiano Ronaldon. Por futbollisti i kombëtares belge nuk pati impakt në kampionatin spanjoll për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme. Për asnjë moment ai nuk ka mundur të jetë i rëndësishëm për madrilenët.

Edhe kur dukej se sulmuesi anësor, i datëlindjes 1991, do të ishte gati për trajnerin Zinedin Zidan, ja ku vjen edhe dëmtimi i radhës, i shtati për të që nga koha kur ndodhet te Reali. Një tjetër problem fizik e ka ndalur Hazardin, i cili ka ndjerë një shqetësim në këmbën e djathtë dhe pas analizave të para të mjekëve duket se bëhet fjalë për një ndalesë prej 3-4 javësh. Shtypi spanjoll shkruan se deri tani Hazard ka kaluar 213 ditë të eksperiencës së tij te Reali në rehabilitim.

Eden Hazard me fanellën e Real Madrid. Gazeta Si, 1 tetor 2020

Me dëmtimin e fundit, belgu ka vënë në dyshim edhe praninë në “El Clasico”. Këtë radhë të paktën shpresohet që ai t’i japë fund mallkimit të dëmtimeve dhe të kthehet në një faktor të rëndësishëm për Realin. Madrilenët mundën 1-0 Valadolidin të mërkurën në mbrëmje dhe pas tri javësh kampionat, kanë 7 pikë në renditje. Skuadra e Zidan mban vendin e tretë, pas Getafes dhe Valencias, që janë në të njëjtën kuotë pikësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë