Do të jenë tre futbollistët kuqezinjtë në grupet e Ligës së Kampionëve dhe të tre titullarë. Ata janë Tomas Strakosha i Lacios, Berat Gjimshiti i Atalantës dhe Myrto Uzuni i Ferencvaroshit. Goglat nuk ishin me fat në aspektin sportiv, pasi kanë rezervuar kundërshtarë shumë të fortë, por në anën tjetër tre lojtarët e Kombëtares do të kenë kënaqësinë të luajnë ndaj klubeve më të mira në botë dhe të sfidojnë yjet e futbollit botëror.
Myrto Uzuni, beratasi që çmend Ferencvaroshin, do të përballet me idhullin e tij, Kristiano Ronaldon, ndoshta edhe me Xhakomo Vrionin. Ferencvaroshi bën pjesë në Grupin G, ku veç Juventusit, është edhe Barcelona e Lionel Mesit dhe Dinamo e Kievit. Të tre kundërshtarë kalibri, që njëkohësisht mund të jenë edhe një lloj vitrine për Myrto Uzunin, pasi një paraqitje e denjë në futbollin e madh, të katapulton.

Berat Gjimshiti do të përballet me Liverpulin, ftuesin e dy viteve më parë të Ligës së Kampionëve dhe kampionin aktual të Anglisë. Mbrojtësit kuqezi i duhet të përballojë emra si Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Roberto Firmino. Edhe për të është një mundësi e artë për t’i rritur vlerat vetes. Përveç Liverpulit, në Grupin D, Atalanta ka kundërshtarë edhe Ajaksin dhe danezët e Mitjyllandit.
Lacio, që ka më shumë shqiptarë, bën pjesë në Grupin F, bashkë me Zenitin, Borusia Dortmundin dhe Bryzhin. Strakosha dhe Muriqi në fushë, si dhe Igli Tare në tribunë, ishin me më shumë fat në short dhe kanë më shumë shanse për kalimin e grupit. Vetëm Borusia Dortmund është kundërshtar i frikshëm për Lacion, Zeniti dhe Bryzhi mund të lihen pas në renditje. Emocionet e Ligës së Kampionëve do të jenë më të mëdha për tifozët shqiptarë, të cilët do të bëjnë tifo edhe për ekipet e kuqezinjve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje