Humbje e thellë e Tiranës në ndeshjen e “Play-off”-it ndaj Jang Bojs. Ëndrra e kampionëve të Shqipërisë për të shkuar në grupet e Ligës së Europës për herë të parë në histori ka përfunduar në Bernë, ku të besuarit e trajnerit Emanuel Egbo u mundën 3-0.
Tirana e nisi ndeshjen me Bekajn në portë, Toshevskin, Najdovskin, Vangjelin dhe Ismajlgecin në mbrojtje, Bathën, Çelhakën dhe Torasën në mesfushë, dhe Kobinah, Kale dhe Muçi në sulm. Ishte braziliani Kale që pati dy mundësi të mirë në fillimin e ndeshjes, por u ndal nga portieri kundërshtar. Tirana u ndëshkua në fundin e pjesës së parë nga Fasnaht me një gjuajtje me kokë brenda zonës.

Në pjesën e dytë ishte Nsame që realizoi edhe dy herë të tjera për zviceranët, ndërsa Torasa e komplikoi edhe më shumë situatën për bardheblutë me daljen me karton të kuq në minutën e 66-të. Megjithatë, Tirana rezistoi në vazhdim dhe nuk pësoi gola të tjerë, pasi trajneri Egbo bëri edhe tri ndërrimet, duke hedhur në fushë Sasrakun, Hoxhallarin dhe Halilin.
Tirana zhvilloi tri ndeshje në kompeticionet europiane. E nisi në Ligën e Kampionëve dhe kaloi turin e parë, duke mundur Dinamo Tbilisin në Gjeorgji, 0-2. Më pas u mund në “Air Albania Stadium” nga Crvena Zvezda, 0-1, por kaloi në Ligën e Europës, ku pati shansin që të shkonte direkt në “Play-off”, një hap larg grupeve. Dhe pikërisht këtu mori fund gjithçka, pasi zviceranët e Jang Bojs ishin shumë të fortë për kampionët e Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje