Futboll

Tare komenton Championsin: Short i mirë, mundim çdo kundërshtar

Pas hedhjes së shortit për grupet e Championsit, ka folur për “Lazio Style Radio” drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, i cili u duk i kënaqur dhe optimist për kalimin e grupit. Lacio ka në grup gjermanët e Borusia Dortmund, rusët e Zenitit dhe belgët e Bryzhit.

“Është një short i mirë, kemi shanset tona ndaj çdo kundërshtari. Me siguri do të jemi gati kur të nisin ndeshjet e Championsit. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe “të këqij”, sepse niveli do të jetë i lartë, siç e pamë në ndeshjen e fundit me Atalantën. Duhet përgjegjësi, skuadrat janë të forta dhe ne duhet të paraqesim me të mirën për fanellën e Lacios. Do të jetë një eksperiencë unike, që do ta ndihmojë skuadrën të rritet. Gara duhet përballuar me seriozitet dhe entuziazëm, jemi të lumtur që marrim pjesë në fazën e grupeve”, – tha fillimisht Tare.

Tare dhe trajneri Inzagi. Gazeta Si, 2 tetor 2020

Më pas, drejtori shqiptar i Lacios bëri nga një koment për çdo kundërshtar: “Borusia është një skuadër e madhe, me përvojë në nivelin ndërkombëtar. Kanë ndryshuar trajnerin vitin e kaluar (në fakt ka vite me Lysien Favre) dhe kanë nisur një erë të re. Zeniti ka individualitete dhe është skuadër fizike, tipike e stilit rus. Kanë Malkom që mund të bëjë diferencën. Bryzhi luan një futboll të bukur dhe është shumë agresiv. Lojtari më i mirë është Vanaken, një mesfushor që shënon dje jep asiste”.

Igli Tare ka theksuar gjithashtu se shembull për Lacio duhet të shërbejë Atalanta: “Vitin e kaluar Atalanta na mësoi se me një grup kompakt dhe të bashkuar mund të ecet përpara. Kemi shumë lojtarë me pak eksperiencë në Europë, por shumë të tjera e kanë. Kemi përforcuar grupin dhe do të shfrytëzojmë maksimalisht ndërprerjen e kampionatit për të rifituar energjitë dhe për të ingranuar të ardhurit e fundit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë