Partia Socialiste kaloi në Komisionin e Ligjeve draftin e ri të Kodit Zgjedhor, ku ulet pragu elektoral në 1 për qind, ndryshon formula e hapjes së listave, por ndryshojnë edhe koalicionet, nga të përbëra në koalicione me lista unike.
Pragu eletoral prej 1 për qind joshi opozitën parlamentare në Komisionin e Ligjeve, por ajo u nda përsa i përket formulës së re të propozuar nga socialistët për hapjen e listave. Sipas propozimit të ri, PS hiqte dorë nga mbyllja e një pjese të liste, duke u dhënë votuesve të drejtë të zgjedhin një emër në të gjithë listën shumëemërore.
Por, lista e kandidatëve fituese nuk do të ndryshojë thjesht vetëm me votën parapëlqyese. Pra, nëse në një qark, një parti merr 5 mandati, kandidatit të renditur si i gjashtë nuk i mjafton vetëm marrja e më shumë votave se kandidati i renditur i pesti.
“Të gjithë kandidatët rirendite, mund të jesh i pari i listët, por mund të dalësh i fundit nëse dikush ka marrë më shumë vota parapëlqyese. Të gjithë kandidatët do të kenë një shtysë për të gjithë kandidatët. Kemi reflektuar se mund të shmangim një anomali për vendet, ku kishte vetëm një mandat dhe vumë një prag jo më shumë se 10 mijë vota, që kur konkurron me fanelën e ekipit tim politik ke dhe dividentitn e partisë sime, i qëndrojmë përfaqësimit me ekip se t’i qëndrojmë vetë individit”, deklaroi para Komisionit të Ligjeve, Damian Gjiknuri.
Mazhoranca plotësoi pjesërisht edhe kërkesën e Myslim Murrizit, që kryetari i partisë, apo partisë udhëheqëse të një koalicionit të kandidojë në më shumë se një qark. Në draftin e miratuar nga PS kryetari mund të kandidojë në katër qarqe.
Partia Socialiste u tërhoq nga drafti fillestar dhe propozoi draftin e ri për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Megjithatë, as këto lëshime të socialistëve nuk e kënaqën opozitën parlamentare, sidomos propozimi për hapjen e listave. Deputetët e opozitës lanë sallën e mbledhjes së Komisionit të Ligjeve.
“Praktikisht është i njëjti propozim si ai i mëparshëm, thjesht i artikuluar ndryshe me më shumë hile dhe truke brenda. Është për t’u keqardhur se si Parlamenti, nga një institucion serioz, i cili duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe Shqipërisë është kthyer në strehë intrigantësh që mendojnë nga mëngjesi deri në darke se si t’ua hedhin qytetarëve. Ne nuk e pranojmë këtë propozim, ne duam lista të hapura 100%, pa truke e pa hile”, deklaroi Rudina Hajdari.
Seanca u ndërpre për pak minuta dhe rifilloi, këtë herë me praninë në sallë edhe të Myslim Murrizit dhe Halit Valterit nga opozita parlamentare. Murrizi, pati depozituar disa amendime në Kodin Zgjedhor, mes të cilëve edhe mundësinë që kryetari i një force politike të kandidojë në 4 qarqe. Ky propozim u miratua nga mazhoranca.
Megjithatë, mazhoranca i rrëzoi propozimin tjetër të Myslim Murrizi në lidhje me ngritjen e një administrate të depolitizuar për numërimin e votave, me argumentin se kjo pikë shkel marrëveshjen e 5 qershorit.
Ndryshimi i tretë lidhet me rirenditjen e pjesës së parë të listës, që korrespondon me mandatet e fituara, ashtu sikurse rirënditja e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale.
Propozimi i PS-së thotë se pjesa e parë e listës që përkon me numrin e mandateve të fituara rirënditet sipas rezultatit të votave preferenciale, pa cenuar parimin e kuotave gjinore. Kandidati me më pak vota preferenciale zhvendoset në vendin e fundit, brenda pjesës së parë të listës që korrespondon me mandatet fituese. Më pas, kryhet rirënditja e pjesës së dytë të listës, bazuar mbi rezultatin e votave preferenciale. Nëse në pjesën e dytë të listës rezulton se një ose disa kandidat kanë numër votash më të lartë se herësi, përfitojnë mandat duke zëvendësuar kandidatin/tët e fundit në renditje, që do të përfitonin mandat sipas renditjes së pjesës së parë të listës, bazuar në votat që ka marrë secili prej tyre dhe kur ata kanë më pak vota preferenciale.
PS thotë se në këtë formë garantohet që kandidati që ngjitet në renditje, duke hyrë në pjesën e listës fituese të zhvendosë kandidatin që ka numrin më të vogël të votave preferenciale. Ky rregull nuk zbatohet vetëm në rastet kur vendi i takon një gruaje.
Të gjitha nenet e tjera të amendamenteve, përfshirë ato që kanë të bëjnë me përkufizimin për koalicionet mbeten të njëjta me propozimin fillestar të bërë publik nga Partia Socialiste dhe të depozituar në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje