Nga Oerd Bylykbashi
Në vitin 2001 PS-ja kishte hartuar sistemin zgjedhor e vetme, me votat e saj. Një sistem i komplikuar që mund të manipulohej. Pikërisht sistemi që prodhoi Dushkun famëkeq që i dha padrejtësisht PS-se 9 deputetë. Por nuk qe vetëm Dushku. PS shpiku edhe trukun e kandidatëve të pavarur fals.
Për të manipuluar sistemin dhe rritur rezultatin me te njëjtat vota të marra, PS regjistroi shumë ministra dhe drejtues të saj si kandidatë të pavarur. Nëse ata fitonin, nuk quheshin si deputetë të PS dhe sistemi zgjedhor nuk ia zbriste PS-së nga llogaritja e përgjithshme. Nëse nga vota e përgjithshme proporcionale PS-se do t’i takonin 61 deputetë, por në mazhoritar kishte fituar 61 të tille, PS nuk do përfitonte mandate kompensuese nga proporcionali (61 me proporcional minus 61 në mazhoritar = 0 mandate kompensuese). Por nëse 10 prej deputetëve socialistë ishin zgjedhur si të “pavarur”, këta nuk do t’i llogariteshin PS-së e cila do të quhej se kishte fituar vetëm 51 deputetë nga mazhoritari dhe do t’i takonte të merrte edhe 10 të tjerë si kompensim nga proporcionali. Me këtë truk, në vend që PS të merrte vetëm 61 deputetë sa i takonte, do të merrte 71 të tille (51 zyrtarisht dhe 10 të “pavarur” nga mazhoritari, plus 10 nga proporcionali) dhe kështu do të formonte qeverinë.
Opozita kishte bojkotuar referendumin e manipuluar të Kushtetutës në 1998 dhe raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të masakruara te 2000 si dhe protestonte në bulevard thuajse cdo ditë ndaj shkeljes se të drejtave.
Një ndërkombëtar shumë i rëndësishëm asokohe në Tirane madje shprehej se “nëse gjetja e PS nuk ndalohet nga ligji, atehere është e lejuar”. Me këtë “leje” në xhep, PS filloi fushatën. Kandidatet e saj të “pavarur” fallco që deri para fushate ishin ministra, bënin fushatë me postera me logon e PS-se.
Por një profesor i shquar dhe ekspert ndërkombëtar u skandalizua kur e dëgjoi këtë dhe e denoncoi publikisht në deklarate për shtyp në Rogner. ODIHR u shqetsua shumë për mundësitë manipulative të këtij truku dhe në Tirane erdhi vetë Drejtori i ODIHR. Në oborrin e OSBE të mbushur me ndërkombëtarë dhe media, me një anglishte me theks francez, ai deklaroi:
“Kandidatët e pavarur janë si gratë shtatzëna. Gratë ose janë shtatzëna ose nuk janë. Edhe kandidatët e pavarur, ose janë vërtet të pavarur ose nuk janë.” Te pranishmit qeshën me batutën lapidare që vrau falsitetin e “të pavarurve” të PS-së. Ndërkaq, ata që ishin aty e që kishin mbështetur këtë gjetje të PS-së, ulen kokën dhe heshtën. Më pas KQZ u detyrua t’i varte tek PS ministrat socialistë që garonin si të pavarur.
Kjo është një histori e vërtet e qershorit të 2001. Ja si është kthyer PS-ja 20 vite pas dhe kërkon të manipulojë rezultatin, madje jo duke manipuluar sistemin zgjedhor, por duke e ndryshuar atë kur gara ka filluar. Për këtë arsye ka frikë nga ODIHR dhe bllokon Këshillin Politik që të kërkojë asistencën e tij, sepse e di përgjigjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje