Politike

Meta: Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria për dy vjet ka arritur në 34135 persona

Gjatë dekorimit të studiuesit për emigracionin shqiptar, Profesor Russell King, me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”, Presidenti Ilir Meta tha se shpopullimi po kthehet në fatkeqësi kombëtare me pasoja fatale.

“Sipas raportit të Zyrës së Mbështetjes së Azilit Europian të muajit gusht 2020, numri i azilkërkuesve për herë të parë nga Shqipëria për periudhën korrik 2018 deri në korrik të vitit 2020 ka arritur në 34135 persona. Kjo shifër është mjaft e lartë krahasuar me vendet e rajonit ku përkatësisht nga Serbia janë 6893 azilkërkues, nga Kosova 5530, nga Maqedonia e Veriut 4858, nga Bosnja Hercogovina 2447 dhe nga Mali i Zi 426 azilkërkues”, tha Meta. 

Një krahasim, sipas tij, është i domosdoshëm për të parë intensitetin e azilkërkuesve për 1000 banorë të vendit tonë me vendet e rajonit.

“Shqipëria ka një numër azil kërkuesish për periudhën dyvjeçare korrik 2018 – korrik 2020 rreth 18.4 herë më të lartë se Bosnja, 17.4 herë më të  lartë se Mali i Zi, 12 herë më i lartë se Serbia, 5.1 herë më i lartë se Maqedonia e Veriut, dhe  3.9 herë më i lartë se Kosova”, tha ai.

“Në 1000 banorë, – vijoi ai, – sot emigrojnë në Bashkimin Evropian nga Shqipëria rreth 12 persona, nga Kosova emigrojnë 3.3 persona, nga Maqedonia e Veriut 2.3 persona, nga Serbia 1 person, nga  Mali i Zi 0.7 persona dhe nga Bosnja Hercogovina 0.6 persona”.

Meta vëren se pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj.

“Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur rreth 78% e totalit të aplikimeve, janë nën moshën 34 vjeç.

Po ashtu është shumë lartë edhe shifra e azilkërkuesve të grupmoshës 18-34 vjeç, si dhe të moshës 17-18 vjeç.

Kjo është dhe duhet konsideruar një alarm pse jo dhe një fatkeqësi kombëtare, nëse vazhdon dhe një ditë më shumë”, nënvizoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë