E diela, ditë zyrtare pushimi nuk i ka shmangur akuzat mes Kryeministrisë dhe Presidencës. Rama akuzoi Presidentin Ilir Meta se nga zyra e kreut të shtetit po drejton shtabin elektoral të opozitës dhe se është personi më i mërzitur nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe hapja e listave.
Megjithëse Meta është në Presidencë dhe të paktën deri më tani ka përjashtuar mundësinë që të japë dorëheqjen dhe t’i vihet përballë në zgjedhje Ramës, Kryeministri ndan bindjen se ai do të humbë si asnjëherë tjetër në 25 prill.
“Më i mërzituri nga të gjithë është Ilir Meta, sepse do të humbë zgjedhjet dhe do t’i humbë në mënyrë shembullore, sepse Shqipëria Ilir Metës nuk i ka asnjë borxh, por Ilir Meta është borxhliu më i madh i Shqipërisë, sepse Shqipëria e ka bërë Kryeministër, kryeparlamentar dhe President. Çfarë do më ky njeri që vetëm mendon që të nxisë ndasi, sherr për të përfituar si i treti i vërteti?!”, deklaroi Rama.
Nga Presidenca u përgjigjen përmes zëdhënësit Tedi Blushi. Ai, duke vijuar me epitetin “Profeti i Kokoshkave”, me të cilën zyra e Ilir Metës quan Edi Ramën prej disa ditësh, tha se ai që ka frikë nga zgjedhjet është Kryeministri dhe e paralajmëroi atë për humbjen në referendumin “më të madh të shqiptarëve.
“Shqiptarët po bëhen gati për të marrë pjesë në Referendumin më të madh në këto 30 vite kundër bandës, tiranisë dhe këtij Sekti, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as nder, as familje, as Atdhe, as BE dhe as OSBE duke turpëruar edhe karrigen qyl në krye të saj. Ilir Meta, para se të jetë President dhe opozitar, në radhë të parë është shqiptar”, shkroi Blushi.
Zëdhënësi i Metës e mbyll reagimin duke kërkuar nga Kryeministri që të respektojë marrëveshjen e 5 qershorit. “Mbaje njëherë fjalën në jetën tënde se e ke edhe me shkrim dhe noterizim!”, mbyllet reagimi i Presidencës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje