Futboll

Juve-Napoli e shtyrë zyrtarisht, pritet 3-0 në tavolinë për kampionët

Pas një dite të mbushur me komunikata zyrtare dhe polemika, arbitri Doveri vendosi sipas rregullores anulimin e ndeshjes mes Juventusit dhe Napolit. Në “Allianz Stadium”, siç pritej, u paraqitën vetëm lojtarët e Juventusit dhe arbitrat. Pasi rezultuan pozitivë me Covid-19 Zielinski dhe Elmas, duke ndjekur edhe udhëzimet e autoriteteve shëndetësorë të zonës, Napoli nuk u nis për në Torino.

Një vendim kundër Ligës dhe protokollit, sipas të cilëve ndeshja duhej të luhej. Tani topi është në fushën e Gjykatës sportive dhe sipas rregullores pritet që t’i jepet fitorja në tavolinë Juventusit, me rezultatin 3-0. Skuadra bardhezi ka bërë tamponët dhe të gjithë kanë rezultuar negativë, kështu që Juventusi ka respektuar të gjitha udhëzimet e protokollit.

Stadiumi i Juventusit i boshatisur. Gazeta Si, 5 tetor 2020

Pak minuta pas vendimit zyrtar, lojtarët e Juventusit kanë lënë stadiumin dhe tani janë në pritje të vendimit të Gjykatës Sportive. Një vendim që do të merret të martën dhe ka mundësi që të ketë edhe ndonjë ndëshkim për Napolin. Andrea Anjeli, presidenti i Juventusit, duke folur për çështjen, theksoi se protokolli është shumë i qartë. “Kemi një protokoll shumë të qartë, që parashikon se çfarë ndodh kur ka një rast pozitiv me Covid. A kam folur me De Laurentis? Kemi shkëmbyer mesazhe, unë i kam thënë se Juventusi i përmbahet protokollit. Ai donte ta shtynte ndeshjen, mund të jetë një kërkesë legjitime, por kemi disa norma”, – tha Anjeli.

Napoli nuk udhëtoi drejt Torinos, pasi dy lojtarë, Zielinski dhe Elmas dolën pozitivë. Drejtuesit e ekipit të Hysajt kërkuan shtyrjen e ndeshjes, pasi, sipas rregullave të autoriteteve shëndetësore të zonës së Kampanias, të gjithë duhet të izolohen në këtë rast.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë