Ndryshe nga Presidenti Ilir Meta, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, përdori një gjuhë më të butë ndaj asaj që po ndodhte në seancën parlamentare të së hënës ku po diskutohej për ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.
Duke e fokusuar vëmendjen gjetkë tek situata ekonomike, Basha u pyet nga media për të dhënë edhe ai një përgjigje për ndryshimet në Kod.
“Shkatërrimi i institucioneve të Shqipërisë është një nga arsyet që kjo bandë e ka vjedhur dhe e ka kërdisur Shqipërinë. Hapat që duan të hedhin sot në Kuvend janë tërësisht antikushtetues dhe tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës dhe atyre që e rrethojnë nga procesi zgjedhor. Nuk ka formulë që ta shpëtojë Edi Rama nga ndëshkimi popullor. Sikur vetëm për premtimet e pa mbajtura dhe efektin që kanë pasur, Edi Rama do të largohet me votë plebishitare”, tha Basha.
Nuk dihen hapat, por Basha nënvizoi se çdo hap antikushtetues do të kontestohet në të gjitha format.
“Kjo s’ka asnjë diskutim. Në kundërshtim me 5 qershorit dhe standardet e OSBE-ODIHR, do të kontestohet. Nuk ka formulë që ta shpëtojë këtë bandë nga ndëshkimi i njerëzve. Njerëzit shumë shpejt do ta japin verdiktin e tyre sepse e bëjnë fare qartë kontrastin midis opozitës dhe një bande që e trajton Shqipërinë si çifligun e saj”, tha ai.
Pas miratimit të Kodit në Kuvend, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, postoi një qëndrim të shkurtër në Twitter.
“Akti i sotëm antikushtetues shkatërron konsensusin e 5 qershorit dhe godet rëndë integrimin evropian të vendit. Rama e hodhi hapin e fundit drejt greminës. Por ai nuk do t’i marrë dot me vete Shqipërinë dhe shqiptarët. Asgjë nuk e shpëton dot atë nga humbja dhe ndëshkimi që e pret!”, shkruan Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje