Politike

Kodi i ri, SHBA: “5 qershori” nuk u shkel, por shumica dështoi për konsensus në Këshillin Politik

Nuk ka qëndrim të dyfishtë. E as të drunjtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një reagim konstant për klasën politike shqiptare, edhe kur vihen para faktit të kryer siç ishte votimi i të hënës në Kuvend i Kodit të ri Zgjedhor, si reflektim i ndryshimeve kushtetuese.

BE-ja nuk ka reaguar ende, por SHBA ndan mesazhin e dyanshëm si për Edi Ramën ashtu edhe për Lulzim Bashën;  Se me kalimin e këtyre ndryshimeve, nuk pati shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit (siç pretendon Basha dhe opozita jashtë Kuvendit) porse Rama dhe vetë mazhoranca dështoi në gjetjen e një konsensusi të shumëkërkuar, në Këshillin Politik.

Sipas ambasadës së SHBA në Tiranë, “është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme”

“Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare. Ky lloj angazhimi pozitiv prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore. Nga ajo kohë, kemi bërë të qartë që marrëveshja e 5 qershorit duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik.

Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit.

Ndërkohë që ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, dhe ndërkohë që këto ndryshime janë shtesë – dhe jo shkelje – të marrëveshjes së 5 qershorit, është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian, dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së. Është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë – duke filluar por jo vetëm ata në pushtet – për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme. Këtë pritshmëri e kemi ashtu si populli shqiptar”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë