Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë sot një kthim teatral në Shtëpinë e Bardhë për të vazhduar atje trajtimin e tij pas infektimit me koronavirus, pas një qëndrimi tre-netësh në spital.
Trump, i cili rrezikon ende të infektojë këdo rreth vetes, hoqi maskën e tij në ballkonin e Shtëpisë së Bardhë, ndërsa po pozonte për fotografi.
Ndërsa kthehej në Shtëpinë e Bardhë, ai bëri një deklaratë tjetër kontroverse, duke theksuar se pavarësisht nga sëmundja e tij, populli amerikan nuk duhet të ketë frikë nga koronavirusi, që deri më tani u ka marrë jetën 210,000 amerikanëve.
Deklarata kontroverse e presidentit amerikan sinjalizoi një alarm për të gjithë qarqet e specialistëve të sëmundjeve infektive në të gjithë botën. Shumë prej tyre kanë deklaruar tashmë publikisht se, pavarësisht nga sëmundja e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara nuk i rishikoi për asnjë moment taktikat e tij deri më sot, duke të kujtuar taktikat e një kalorësi të vetëm kundër sëmundjes.
Mjeku i tij tha se ai do të vazhdonte mjekimin nga atje, dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë mund të mos jetë ende plotësisht jashtë rrezikut. Disa nga anëtarët e stafit dhe ndihmësit e zotit Trump kanë testuar gjithashtu pozitiv me Covid-19 ditët e fundit.

Por edhe pse presidenti ka dalë nga spitali, mediat amerikane vazhdojnë të ngrejë shqetësime për shëndetin e Trump. Infektimi me Covid-19 ka ndërprerë fushatën e tij për një mandat të dytë, një muaj përpara se presidenti republikan të përballet me sfiduesin demokrat Joe Biden në zgjedhjet presidenciale.
I veshur me kostum, kravatë dhe maskë, Trump u largua nga Qendra Kombëtare Mjekësore Ushtarake Walter Reed në periferitë e Uashington DC të hënën në mbrëmje duke përshëndetur mbështetësit që ishin mbledhur përpara spitalit.
Pas një udhëtimi të shkurtër me helikopter, Trump ishte fotografuar i vetëm në Ballkonin Truman të Shtëpisë së Bardhë. Ai hoqi maskën e fytyrës, përpara se të bënte një përshëndetje të stil ushtarak për fotografët.
“Megjithëse nuk është krejtësisht jashtë rrezikut, unë dhe ekipi mjekësor jemi të mendimit se analiza e gjendjes së tij të përgjithshme, mbështesin kthimin e tij” në Shtëpinë e Bardhë, ku një ekip mjekësor dhe pajisje të sofistikuara mjekësore do të jenë në dispozicion të nevojave shëndetësore të presidentit 24 orë në ditë, tha në një konferencë për shtyp të hënën pasdite Dr. Sean Conley, mjeku kryesor i presidentit.
“Çdo ditë që një pacient qëndron në spital pa qenë e nevojshme, përbën kërcënim ndaj tij,” tha mjeku. “Aktualisht këtu në spital nuk po bëjmë asgjë që nuk mund ta bëjmë fare mirë në Shtëpinë e Bardhë”.
Presidenti po mjekohet me një kurë me steroide që zakonisht nuk jepet kur pacienti po kalon simptoma të lehta ose të moderuara të COVID-19. Ai po ashtu po merr remdesivir, një ilaç antiviral.
“Jemi në gatishmëri, sepse jemi në rrethana të panjohura pasi po e mjekojmë me ilaçe që nuk i jepen zakonisht pacientit kaq herët pas sharjes së sëmundjes,” tha Dr. Conley. “Nëse e kalojmë të hënën me të njëjtat ritme përmirësimi, do të hedhim hapin e fundit dhe do të marrim frymë të çliruar,” tha Conley.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje