Ofendimet e ministrit serb të Mbrojtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe ndaj vetë kryeministrit Edi Rama duket se ka shkaktuar një ngërc të madh diplomatik mes Tiranës dhe Beogradit zyrtar pavarësisht se dy palët ishin nxitësit kryesorë të Shengenit Ballkanik.
Rama ka njoftuar se Ministria e Punëve të Jashtme e ka thirrur zyrtarisht ambasadorin serb në Tiranë për t’i përcjellë një notë verbale, pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandër Vullin.
Kjo notë mësohet se i është dorëzuar ambasadorit nga ministri në Detyrë, zoti Gent Cakaj. Vetë kryeministri Rama ka thënë se qeveria e tij “nuk do të tolerojë më asnjë ofendim nga përfaqësuesit e qeverisë serbe”.
Reagimi i ashpër i Tiranës zyrtarë, vjen pasi Ministri serb komentoi pak ditë më parë deklaratat e zotit Rama në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbledhjes së dy qeverive.
Kryeministri shqiptar tha që Porti i Durrësit do të jetë “de facto” port i Kosovës, deklaratë që sipas ministrit Vulin është një sinjal që Rama po punon për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.
“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, kishte thënë Vulin duke i bërë thirrje BE-së që të reagonte, duke e cilësuar kërcënim për paqen. Përmes një deklarate të dytë, ministri serb i Mbrojtjes u shpreh se kryeministri i Shqipërisë do të mbahet mend më shumë për “çorapet e grisura” se sa për zhvillimin e ideve të ndritura dhe se Rama nuk ka “tru”.
“Nëse Edi Rama do të kishte tru, nuk do të përpiqej të bënte Shqipërinë e Madhe. Nëse do të kishte mend, nuk do të bënte fotografi me sfond nga flamuri i ‘Shqipërisë së Madhe’. Nëse kujdesej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit nga radhët e UÇK-së”, kishte thënë Vulin.
Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, Rama tha se pret që president i Serbisë, Aleksandër Vuçic, duhet të kërkojë ndjesë në emër të shtetit të Serbisë.
Edhe pse këto deklarata kanë zemëruar Tiranën zyrtare, ekspertët thonë se përdorimi i termave ofenduese ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë, në diskursin publik të politikanëve të Serbisë, nuk është në fakt asgjë e re.

“Deklaratat e Vulin janë në fakt vazhdimësi e diskursit të viteve ’80 dhe ’90”, thotë analisti Milazim Krasniqi.
Vetëm përgjatë muajit të fundit, Vulin i është referuar shqiptarët e Kosovës me termin ofendues “shiptari” plot gjashtë herë. Në fakt, termi “shiptar” është deformim i emërtimit “shqiptar” dhe përdorët si një term ofendues nga serbët. Ky term ka konotacion negativ dhe i lidh shqiptarët si njerëz primitiv dhe të paqytetëruar, njerëz që kanë zbritur nga mali, punëtorë krahu, etj.
Vulin i është referuar kryeministrit Rama, prapë me termin pezhorativ “shiptari”, duke thënë se ata “janë popull i ndershëm që kanë dhënë Esat Pashë Toptanin, por se nuk mund ta krahasonte me Ramën”.
Në 2 tetor, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, u kishte dërguar një letër ambasadorëve të vendeve të Kuintit, ku kishte thënë e “fjalimi ksenofobik i Vulin kundër shqiptarëve meriton dënim të fuqishëm.
Krasniqi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se përdorimi i termave ofenduese dhe përçmues nga politikanët në Serbi ndaj shqiptarëve në përgjithësi, tregon që në Serbia vazhdon të jetë ende peng e diskursit shovinist.
Sipas tij, ky diskurs mbetet dominues në tabloidët serbë dhe si i tillë reflektohet edhe në mediat tjera atje. Kjo sipas tij ka ndodhur për dy arsye.
E para, Kosova nuk ka krijuar mekanizma për denoncimit të këtij diskursi fashist që vjen nga politika serbe. Në anën tjetër, Bashkimi Europian ka hyrë në një cikël të krizës së brendshme dhe e ka humbur fokusin në raportet e Serbisë dhe Kosovës. BE nuk po i tërheq më vëmendjen politikanëve serbë që dalin dhe ofendojnë publikisht shqiptarët”, theksoi Milazim Krasniqi.
Sipas ekspertit, kjo situatë e tillë paraqet një rrezik të madh. “Të gjithë ata që kanë kujtesë nga vitet 80 dhe 90 të shekullit të kaluar, sidomos pas ardhjes së Sllobodan Milloshevicit në pushtet, e mbajnë mend se i gjithë konflikti në ish-Jugosllavi kishte nisur me ashpërsimin e diskursit militant. Ky diskurs ka kaluar nga mediat te politikanët dhe më pas e ka përgatitur terrenin psikologjik dhe politik për kasaphanën që ndodhi në ish-Jugosllavi”, shprehet ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje