Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian (KKIE) në Parlamentin e Shqipërisë, zhvilloi këtë të enjte mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës ishte prezantimi i raportit vjetor të Komisionit Europian për Shqipërinë.
Përfaqësuesi i PS-së në këtë Këshill, Taulant Balla e vlerësoi raportin e Komisionit Europian si momenti i së vërtetës, që hedh poshtë, sipas tij, pretendimet e këtyre ditëve që “Shqipëria me demek nuk ka përparuar në asnjë prioritet të lënë nga Këshilli në mbledhjen e marsit”.
Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca tha se metodologjia e re e vlerësimit sheshon kritikat që janë adresuar në të shkuarën ndaj Komisionit, ku vende të caktuara anëtare të BE-së akuzonin se raportet ishin shumë më pozitive nga situata në terren.
“Ka pasur kritika në të shkuarën, se komisioni ka qenë më shumë pozitiv nga sa duhej. Por metodologjia e re përfshin edhe vendet anëtare në raport”, tha ai.
Soreca deklaroi se raporti është me rëndësi specifike, ndërkohë që duke cituar përmbajtjen e tij thotë se me rëndësi është marrëveshja e 5 qershorit në Këshillin Politik, shprehu keqardhjen që ndryshimet kushtetuese u miratuan pa konsensus dhe përsëriti nevojën për forcimin e dialogut politik.
Ambasadori i BE identifikoi si pikën më të fortë reformën në drejtësi, duke vënë theksin tek rëndësi që ka rikthimi në funksion i Gjykatës Kushtetuese në javët e ardhshme përpara vendimmarrjes përfundimtare të vendeve anëtare, që konferenca e parë ndërqeveritare të mund të mbahet brenda këtij viti.
“Në drejtësi kemi parë përparimin më të shumtë në vitin e kaluar, me zbatimin e reformës që ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme. Sot është funksionale një nga dhomat e Gjykatës së Lartë, ka përparim në rikompozimin e Gjykatës Kushtetuese. Këto ditë janë shumë me rëndësi për të vlerësuar kandidatët për postet e hapura dhe shpresojmë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të sjellë kandidatin që është e nevojshme për të pasur më pas listën për t’i cuar Presidentit për emërim dhe kemi numrin gjyqtarëve në 5, shumë afër kuorumit”, tha ai.
Që Gjykata Kushtetuese të jetë plotësisht funksionale, ajo duhet që të ketë 6 anëtarë. Aktualisht, kjo gjykatë ka 4 anëtare, ndërkohë që KED është duke shqyrtuar kandidaturat për një vakancë të hapur nga Presidenti i Republikës. Mbledhja e radhës e KED është parashikuar për ditën e premte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje