Ne rrjet

“Bum” infeksionesh të reja, qytetet gjermane kërkojnë ndihmën e ushtrisë

Rritja e ndjeshme e infektimeve në disa qytete gjermane ka bërë që drejtuesit lokalë në zonat më të prekura t’i kërkojnë Qeverisë që të angazhojë ushtrinë në përballimin e pandemisë së Covid19.

DW thotë se pas Berlinit dhe Frankfurtit, edhe Shtutgarti raportoi të shtunën në mbrëmje kalimin e vlerës kritike të 50 infektimeve të reja për 100.000 banorë dhe e gjitha kjo vetëm brenda javës së fundit.

“Shifrat po rriten në mënyrë shqetësuese, aq sa Zyra e Shëndetit Publik nuk mund të garantojë më ndjekjen e personave të kontaktit, gjë që është aq e rëndësishme për kontrollin e pandemisë,” shpjegoi Stefan Ehehalt, kreu i Zyrës së Shëndetit Publik të Shtutgartit.

Për këtë arsye, në Shtutgart kërkohet që të mobilizohet edhe ushtria për gjurmimin e të infektuarve. Kryetari i Bashkisë së Shtutgartit, Fritz Kuhn tha se duhen ndërmarrë veprime të vendosura për të ulur përsëri shifrat.

“Kjo është mënyra e vetme që ne mund t’i mbajmë të hapura shkollat, kopshtet ditore, bizneset dhe shitësit me pakicë. Kjo është mënyra e vetme për të siguruar që të gjitha rastet të gjurmohen në Zyrën e Shëndetit Publik”, u shpreh ai.

Shifra të larta infeksioni ka raportuar edhe qyteti i Esenit. Këtë kufi e kanë kaluar Berlini, Frankfurti, Bremeni dhe Këlni. Të dielën Qendra e landit për Shëndetësinë në landin e Renanisë Veriore-Vestfalisë informoi se Eseni ka pasur brenda shtatë ditësh 57.3 raste të reja infektimesh për 100.000 banorë.

Në të gjithë Gjermaninë, numri i personave të infektuar rishtas me virusin Corona arriti 3483 të dielën, siç njoftoi Instituti “Robert Koch”. Nga e mërkura në të enjten, vlera qe rritur ndjeshëm nga 2828 në 4058 vetë, nga e enjtja në të premten shifra arriti 4516 raste të reja. Të shtunën në mëngjes ishin 4721 raste të reja. Përvoja ka treguar se numri i rasteve të regjistruara është zakonisht më i ulët të dielën dhe të hënën, edhe sepse jo të gjitha Zyrat e Shëndetit Publik raportojnë të dhëna gjatë fundjavës te Instituti Robert Koch.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë